Aktorja e serialit “O sa mirë”, Erblina Ajazi tregon për domethënien e personazhit të cilin ajo e luan, se si është krijuar “Plepi” apo “Ganimetja”, sa ka ngjashmëri me personazhin, sukseset e arritura gjatë vitit 2016, si dhe planet që priten të realizohen gjatë vitit 2017.
Erblina, tha se personazhi të cilin ajo e luan është kryesisht i zakonshëm, por që i pengon gjatësia e saj dhe nuk arrin të shoqërohet me njerëzit në përgjithësi sepse është shumë temperamente, andaj edhe të shumtën e kohës qëndron vetëm.
“Personazhi im pak a shumë është njeri i thjeshtë që e ka pak problem gjatësinë edhe ka problem pak me u shoqëruar me njerëz është gjithë kohën nervoz edhe nuk përshtatet thuajse me kërkon edhe rri gjithë kohën vetë, pak a shumë kjo është. Me u përshtat jam përshtatë shumë se vetë së pari me skenaristin kemi biseduar edhe e ka parë pak a shumë çka po më shkon edhe çka jo mandej kemi vendos që me e bo atë”, tha Ajazi.
E pyetur nga KosovaPress, se a ka ngjashmëri Erblina në jetën e përditshme me personazhin që luan në këtë serial, ajo u përgjigj se nuk ka fare ngjashmëri. Përkundrazi ajo tha se në jetën e përditshme është shumë e shoqërueshme dhe se nuk nervozohet aq shpejt.
“Jo në fakt jo, nuk kom ngjashmëri aspak, jam person i shoqërueshëm nervoz nuk bëhem njëjtë si Plepi ose Ganimetja. Për mu o kon shumë i suksesshëm, së pari veç pjesëmarrja në “O sa mirë”, për arsye se nuk e kam pritur edhe ka ardhur gjithçka si shumë e befasishme pjesëmarrja e sidomos edhe sezon e re tash që po xhirohet, e për mu, për mendimin tim o kon një vit shumë i suksesshëm. Po presim tash, presim, ka edhe sende të reja, ka edhe projekte që po presim me u realizuar edhe me u lansuar për publikun”, tha Ajazi.
Erblina Ajazi, ishte inkuadruar në serialin “O sa mirë” gjatë sezonit të kaluar, me nofkën që i kishin vënë “Plepi” për shkak të gjatësisë së saj dhe punonte në banakun e bufesë së kolegjit andaj dhe rrallë kishte skena kur ajo fliste, ndërsa gjatë sezonit të fundit ajo është inkuadruar edhe si studente në këtë kolegj.