Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq i tha sot kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski se Maqedonia e Veriut ka përjetuar shumë padrejtësi në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se Kroacia do të vazhdojë të avokojë për përshpejtimin e këtij procesi.
“Mendoj se nga pala maqedonase janë bërë aq shumë lëshime, sa që zor se ndonjë komb dhe vështirë se ndonjë vend do të pranonte të bënte kaq shumë hapa nga ana e tyre nëse nuk e shpejtonin rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Plenkoviq.
Plenkoviq, i cili priti Mickoskin në Zagreb, shtoi se është i inkurajuar nga fakti se mbështetja e popullit të Maqedonisë së Veriut për integrimin evropian është ende e lartë, rreth 70 për qind.
Plenkoviq beson se ka pasur “shumë padrejtësi” ndaj Maqedonisë së Veriut në më shumë se dy dekada dhe tha se ai do të avokojë për negociata më të shpejta midis atij vendi dhe BE-së./Telegrafi/