Partia Liberal Demokrate e Maqedonisë, ka reaguar pas ndërhyrjes së PSP-së në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërzbulimit, duke thënë se është turp që DSK-ja të mos zbatojë urdhërat e gjykatës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Partia Libral Demokrate e Maqedonisë bën thirrje të mos pengohet drejtësia në vend, veçanërisht nga institucionet që duhet të mbrojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve. Pas obstruksioneve të mbrëmshme në punën e PSP-së nga ana e qeverisë, ftojmë Prokurorinë Publike të ngre padi për pengim të punës së PSP-së dhe kundërshtim të urdhërave të gjykatës, pasi ato janë vepra që dënohen me ligj në vendin tonë”, thuhet në reagimin e PLD-së.
Sipas kësaj partie, kjo qeveri me këto sjellje e zhytet gjithnjë e më thellë në rërë thithëse. E vërteta se kush ka përgjuar në Maqedoni dhe për çfarë interesa herët ose vonë do të zbulohet, nëse jo tani, sigurisht pas 11 dhjetorit, ku qeveria e re do t’i demaskojë të gjithë kriminelët. /Telegrafi/