Plazhi i qytetit në bregun e majtë të Vardarit, ndërmjet Urës së Gurit dhe Urës Goce Delçev, është tërësisht i shkatërruar. Tani, në vend të plazhit, planifikohen ndërtime të reja. Plazhi mbrapa Parkut të Qytetit, është pranë shkatërrimit. Qytetarët thonë se as njëri as tjetri nuk është dashur të ndërtohen sepse vendi ku janë ndërtuar nuk është i përshtatshëm as për larje e as për t’u rrezitur.
“Sipas meje, budallallëk më të madh nuk ka. Së pari, për të qenë plazh qyteti, duhet që uji të jetë i pastër. Kur ne ishim të ri sikur ju, laheshim këtu. Ky ishte plazhi Bungur. Plazhi bëhet aty ku ke mundësi të freskohesh dhe të hysh në ujë pas rrezitjes.”
“Jo, kurrë nuk i kam vizituar. S’e kam ndjesinë se në lumin Vardar gjendem në plazh. Më mirë do të ishte që kjo të jetë zonë për ecje, që të mund të bëjmë aktivitete sportive”
“Nuk kisha mendim pozitiv, as herën e parë dhe as tani. Mendimi im është se këto nuk janë të nevojshme. Kjo është vetëm shpenzim i parave në mënyrë jo adekuate”, u shprehën disa qytetarë.
Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski sot nuk dëshironte të përgjigjej në asnjë pyetje në lidhje me shkatërrimin e plazheve, projekt për të cilin ai thoshte se do të jetë një vend për rekreacion, zbavitje dhe freskim gjatë ditëve të nxehta. Nga Qyteti i Shkupit morëm vetëm përgjigje me shkrim ku thuhet:
“Për realizimin e dy plazheve pranë Vardarit, Plazhi 1 dhe ai i Urës së Gurit, Qyteti i Shkupit ndau rreth 15 milionë denarë. Plazhi 1 punon me kapacitet të plotë dhe paraqet vend gjithnjë e më të vizituar për sport, rekreacion dhe relaks për qytetarët e Shkupit gjatë periudhës verore, ndërsa Plazhi pranë Urës së Gurit, për shkak të punëve ndërtimore në zonën qendrore të qytetit, për fat të keq u desh të mbyllej”.
Plazhi pranë Parkut të Qytetit është ndërtuar në vitin 2010, ndërsa një vit më vonë, u ndërtua edhe plazhi pranë Urës së Gurit, i cili, tani me vendim të Qytetit të Shkupit u mbyll, 5 vite pasi për të u ndanë 8,7 milionë denarë. /Telegrafi/