Plazhi i Tales në Shqipëri po bëhet gati për çeljen e sezonit turistik, ndërsa autoritetet lokale po punojnë për pastrimin dhe sistemimin e vijës bregdetare.
Në zonë janë ende punëtorët e shërbimeve që po bëjnë largimin e mbeturinave të sjella në breg nga deti. Janë më shumë se 3 km vijë bregdetare e cila do t’i nënshtrohet ndërhyrjes për pastrimin e saj.
Ata që do të zgjedhin Talen për të kaluar fundjavën që vjen në bregdet do të gjejnë një ambient optimal. Këtë e ka bërë të ditur administratori i Shënkollit, Albert Rrusti, sipas të cilit është siguruar edhe urgjenca në zonë gjatë sezonit, duke rritur sigurinë për pushuesit.
Bregdeti i Tales po përgatitet për shtim të ndjeshëm të vizitorëve dhe turistëve gjatë sezonit veror. Shërbime të shtuara dhe gatishmëria pretendohet se do të jetë suksesi i kësaj vere për ta, ndërsa pastërtia nuk do të jetë aspak çështje problematike. /Telegrafi/