Drejtori, Ali Karaj, shprehet se megjithë pengesat që vijnë nga mosmiratimi i buxhetit të bashkisë, këtë vit do të ketë një veçanti në lidhje me heqjen e mbeturinave nga plazhi, pasi ky proçes do të funksionojë edhe gjatë natës duke u shtrirë në një shërbim 24-orë.
“Tani jemi në fazën përfundimtare. Presim të bëjmë plugimin dhe disifenktimin e sipërfaqes së rërës dhe kjo brenda javës që vjen përfundon. Të gjitha mjetet i kemi në gatishmëri të plotë. Preparatet kimike nuk na mungojnë, veglat e punë nuk na mungojnë, megjithë vështirësitë e mëdha që kemi pasur në drejtim të mosmiratimit të projekt buxhetit”, tha Karaj.
Bashkia e Durrësit ende nuk e ka hapur zyrtarisht sezonin turistik për këtë vit. Plazhi i Durrësit është plazhi më i madh ranor në bregdetin e Adriatikut, ndërkohë që kërkesat për plazhe private rriten vit pas viti. Deri në këtë periudhë bashkia nuk ka miratuar asnjë kërkesë për plazh privat, por pronarët e këtyre plazheve, ashtu si edhe vitet e kaluara, tentojnë të zënë gjithë sipërfaqen e rërës, ndonëse liçensa për këto plazhe parashikon zënien e një hapësire rëre me përmasa 20 me 10 metër, raportoi AS./Telegrafi/