Site icon Telegrafi

Platini – paterica serbe në UEFA

Tash e tutje tifozeria e çmendur serbe lirisht mund të rezervojë edhe një karrige plastike për të rrahur ndonjë lojtar në fushë.

Michel Platini mund të jetë bartësi i kësaj karrige, sepse karrigen që e ka zënë tash në krye të UEFA-s e ka keqpërdorur skajshmërisht. Ai u bë i njëanshëm jo vetëm pse dëmtoi padrejtësisht kombëtaren shqiptare, por pse u tregua aq i pacipë në mbrojtje të rrugaçëve serbë në stadiumin e ‘Partizanit’.

Vetëm ndërgjegjja e Platinit e din se pse ishte në anën e kësaj rrugaçërie të mbytur në avujt e ‘shlivovicës’, por shqiptarët kanë të drejtë të dyshojnë në ‘menynë’ e tij proserbe që u mundua t’ua servojë dhe imponoj edhe anëtarëve të tjerë të UEFA-s.

Të gjithë ata që e dinë se çka paraqet sot sporti në afrimin e popujve dhe civilizimeve, mbetën të shokuar nga ky komoditet i UEFA-s për të arbitruar kaq padrejtësisht një ndeshje futbolli e cila duhej të ndërpritej që në start për shkak të atmosferës antisportive që imponoi tifozeria serbe në stadiumin e ‘Partizanit’. UEFA nuk ka guxuar të bie nën ndikimin e shefit të saj, sepse autoriteti dhe kredibiliteti ndërtohen me dekada dhe shekuj, kurse Pllatini me afinitetet e tija proserbe ka rrezik që brenda natës ta rrënojë këtë autoritet dhe kredibilitet.

Futbolli që u luajt më 14 tetor në Beograd ishte sfida më e madhe e Kombëtares Shqiptare në dekadat e fundit dhe nuk kishte kurrfarë arsye që futbollistët shqiptarë të devijonin nga misioni i tyre i pastër sportiv. Ata nuk devijuan edhe atëherë kur ishin të penguar nga shishet dhe mjetet shpërthyese që vinin nga tifozët serbë. I gjithë ky arsenal ‘luftarak’ që vinte nga tribuna e tifozerisë serbe, kishte një frymëzim dhe objektiv të vetëm: të pamundësonte fitoren e Kombëtares Shqiptare, me të gjitha mjetet dhe qëllimet.

Është ky një rast unikat kur futbollistët shqiptarë nuk kishin rival në fushë, por jashtë fushe, kur loja e futbollit më shumë i ngjante një arene gladiatorësh se sa një gare të pastër sportive. Por, përkundër kësaj gare të pabarabartë, futbollistët shqiptarë u deshtë të demonstrojnë deri në fund lojë cilësore, për të arkëtuar më shumë moral dhe qytetërim se sa ndonjë bilanc pozitiv. Këtë të fundit nuk e pamundësonte loja e futbollistëve serbë, por një skuadër tepër armiqësore e ndodhur dhe e stërvitur jashtë fushës së futbollit, shumë afër një mendësie që ende po vuan pasojat e politikave hegjemone e totalitare. Nuk e paskemi ditur që edhe Michel Platini paska qenë një nga pjesëtarët e padukshëm të kësaj skuadre misterioze.

UEFA ra në kurthin e lobimeve serbe. Platini si ‘miu’ i parë që deshi të ngatërrohet në këtë kurth, do ta ketë vështirë t’u shpëtojë ‘maceve’ në ditët në vijim. Atij do t’i duket tepër e ngushtë vrima për të futur dinjitetin e nëpërkëmbur të një organizative sportive prestigjioze, siç është UEFA, ndaj puna e parë që duhet të bëjë është largim nga kreu i saj. Vetëm në këtë mënyrë, Platini mundet ta rikuperojë dëmin që ia ka shkaktuar UEFA-s dhe mbarë futbollit europian.

Një vendim i gabuar asnjëherë nuk konsiderohet i mbyllur dhe i përfundimtar përderisa të mos rivendoset drejtësia në vendin që i takon. Kombëtarja e Shqipërisë në asnjë mënyrë nuk duhet të paguajë koston e lobimeve dhe aranzhimeve proserbe në UEFA dhe më së paku të bëhet viktimë e frustrimeve të ndonjë mangupi francez që rastësisht ka qëlluar të jetë në krye të UEFA-s.

Nëse mangupët kanë prirje për të demonstruar njëanshmëri në vendimmarrje në UEFA, atëherë do të duhej të jetë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, së cilës i takon të na tregojë se ku përfundon mangupëria proserbe dhe ku fillon drejtësia evropiane në futboll.

 

Exit mobile version