Roli i platformës ndreqe.com për zgjidhje më të shpejtë të ankesave të qytetarëve, sa shkon e fuqizohet.
Meqenëse Mitrovica e Jugut është pjesë e komunave bashkëpunuese sidomos në pastrimin e hapësirave me mbeturina, platforma ndreqe.com ka realizuar një storie suksesi me të.
Madje, drejtori i Mbrojtjes së Mjedisit Egzon Sadiku, thotë se veç tjerash platforma edhe ua ehtëson punën, shkruan Telegrafi.
“Duke marrë parasysh që Mitrovica shtrihet në një territor prej 350 km2 është pothuajse e pamundur për ne si institucion apo në këtë rast si drejtori e Mbrojtjes së Mjedisit që ta kemi në kontrollë çdo cep të territorit të Mitrovicës por falë platformës së juaj, falë platformës ndreqe.com, ne mund t’i shohim raportimet të cilat ndodhin nga qytetarët e Mitrovicës dhe të reagojmë në kohë sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Sadiku.
Ndërsa, udhëheqësi i sektorit për mbrojtjen e ambientit në këtë komunë Bahri Sinani, tregon se si platforma ndreqe.com ka parandaluar edhe krijimin e deponive.
“Këtu ka qenë një deponi shumë e madhe është largu dy herë ose tri herë në muaj, mirëpo gjithmonë edhe falë angazhimit të ndreqe.com, falë qytetarëve të përgjegjshëm, jemi ardhë në konkludim që është mëse e nevojshme edhe është ndërtu kjo pika për grumbullimin e mbeturinave që sot nuk ekziston më si deponi”, ka thënë Sinani
Tutje, Sinani tregon edhe hirearkinë e intervenimit që nga momenti kur qytetarët raportojnë në ndreqe.com, transmeton Telegrafi.
“E informojmë drejtorin për pretendimet e qytetarit ose platformës, dalim në teren, me anë të GPS i marrim koordinatat, e bëjmë formën e udhëzimit për largimin e deponisë e cila I shkon kompanisë me emër të rrugës, me koordinata, me fotografi të bashkangjitur dhe kompania në kohën optimale zakonisht nuk vonohen më shumë se 24 orë, e largon deponinë, e argumenton me fotografi, na e dërgon neve, ne dalim e konstatojmë a është mirë dhe kjo është e gjitha e cila kryhet një punë nga fillimi deri në fund të procesit”, ka shtuar Sinani.
Kompania Rajonale e Pastrimit “Uniteti” pas raportimit në platformën ndreqe.com, pati intervenuar edhe në largimin e mbeturinave përreth një objekti të vjetër, me ç’rast pastrimi i hapësirës nuk arriti të bëhej me eskavator.
Zyrtarët komunal falënderuan punëtorët e kësaj kompanie për mjedisin e pastër që po ua ofrojnë qytetarëve, ndërsa vlerësuan edhe punën e platformës ndreqe.com. /Telegrafi/