Wayne Rooney thuhet se ka arritur marrëveshje multi-milionëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila do ta tejkalonte atë të David Beckhamit.
Futbollisti anglez, i cili këtë verë nënshkroi për klubin nga Washingtoni, DC United, pritet të fitojë pasuri të majme me gjigantin e marketingut, Octagon.
Sipas The Sun, marrëveshja do të nënshkruhet në ditët në vijim, ndërsa 32-vjeçari do të bëhet njëri prej futbollistëve më të pasur në SHBA.
Në bazë të marrëveshjes, Rooney, i cili në Amerikë ka shkuar së bashku me gruan Coleen dhe katër fëmijët e tyre, mund të përfitojë duke u shfaqur në shou televizivë, si edhe në reklama për produkte sportive, ushqim, telefona dhe automjete.
Në këtë mënyrë, Wayne dhe familja e tij mund të përfitojnë shumë më tepër se Beckham, i cili pas transferimit te LA Galaxy në vitin 2007, përfitoi 195 milionë euro nga marrëveshjet e marketingut.
Përfitimet e Rooneyt pritet të jenë trefish më të mëdha se ato të David me mundësinë që të hyrat të shtohen akoma më shumë.
“Gjërat po shkojnë shumë mirë për Wayne dhe familjen e tij deri më tani dhe atij i pëlqen jeta në Amerikë. Kjo marrëveshje ka qenë thelbësore në planin e tij dhe të Coleen për të shkuar atje dhe do t’i hapë ata te një publik krejtësisht i ri”.
“Marrëveshjet reklamuese do t’i përfshijnë gjithë anëtarët e familjes Rooney. Brendet tashmë po presin në radhë që të bashkëpunojnë me të – madje po flitet edhe për serial real televiziv”, ka thënë për The Sun një burim i afërt me futbollistin. /Telegrafi/