Site icon Telegrafi

Plani për përmirësimin e integritetit të ATK mundësi për zvogëlimin e praktikave korruptive

Drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në tryezën e konsultimeve publike me përfaqësues të bizneseve, lidhur me hartimin dhe zbatimin e “Planit për përmirësimin e integritetit” të ATK-së, theksuan se me këtë plan synojnë përmirësimin e mëtejmë të cilësisë së shërbimeve për qytetarët, tatimpaguesit, rritje e transparencës, rritje e llogaridhënies dhe zvogëlim të mundësive për praktika korruptive.

Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj, tha se ATK ka përgatitur një draft dokument për përmirësim të efikasitetit në këtë institucion. Murtezaj tha se ATK ka avancuar shumë shërbimet përmes platformës elektronike.

“Kjo mundësi e vullnetit të mirë të ATK duhet të shfrytëzohet edhe nga bizneset. ATK ndër vite përmes përkrahjes ndërkombëtare ka realizuar anketa për përceptimin e integritetit të ATK, nw tw cilwn ka shumë indikatorw se ATK ka arritur avancim. Sa i përket korrupsionit, është ulur perceptimi për korrupsion në ATK”, tha Murtezaj.

Ai shtoi se ATK me qellim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe korrupsionit në këtë institucion ka marr një sërë masash.

Murtezaj foli edhe për borxhet ndaj këtij institucioni, që sipas tij, niveli i borxheve aktualisht është 350 milionë euro.

Drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID-it në Kosovë, Joshua Mike tha se ekonomia e Kosovës vuan nga informaliteti i lartë, që ndikimet janë negative në shumë aspekte.

Fikret Havolli nga kompania ‘Passable’ tha në këtë plan nuk është përfshirë plani zhvillimor afatgjatë për luftën e informalitetit në përqindje sipas viteve.

Havolli shtoi po ashtu se padrejtësisht është ndëshkuar edhe nga ATK-ja.

“Sfida më e madhe është informaliteti dhe konkurrenca jolojale. Unë kisha sugjeruar që në këtë plan përfshihet edhe lufta kundër informalitetit”, tha Havolli.

Edhe drejtori i ATK Ilir Murtezaj u pajtua se ka informalitet, por sipas tij, nuk ka mekanizëm matës. Ai tha se shkalla e informalitetit mendohet të jetë rreth 30 përqind. Ndryshe, hartimi i këtij plani është duke u mbështetur nga Programi i USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, që njëherësh është edhe bashkë organizator i procesit të konsultimeve publike. /kp/

Exit mobile version