Nuk e di si e kishte quajtur Qeveria e Kosovës këtë plan, por duke e ditur se zakonisht një plan operativ ushtarak, policor apo i emergjencave civile ose çfarëdo plani qoftë, duhet ta ketë një emër dhe unë e pagëzova me emrin “Veriu”. Fillimisht me pak fjalë dua të sqaroj se çka është një plan operativ. Pra ky është një planifikim i organizuar për një ngjarje, fatkeqësi, incident apo krizë të caktuar dhe të vlerësuar nga ana e shkallës së rrezikshmërisë i cili përcakton situatën, ndan detyrat dhe përgjegjësitë për të gjithë pjesëmarrësit në operacion. Për dallim prej planeve operative të sistemit të lindjes, planet sipas sistemit dhe modelit perëndimor (NATO-s) kanë vetëm pesë paragrafë, siç i përdor sot edhe Forca e Kosovës për Siguri ose edhe policia e Kosovës, e cila, nuk e di se pse, por i quan pesë pikat e Komandës. Plani Operativ ka një ndarje shumë të thjeshtë të lehtë dhe shumë funksionale e që ndahet në:
1. Situata
2. Misioni
3. Detyrat për njësitë reaguese
4. Mbështetja logjistike dhe
5. Komanda dhe komunikimi
Në të gjitha Planet Operative qofshin ato ushtarake, policore apo të emergjencave civile, paragrafi i parë apo situata, përcakton gjithçka dhe hartohet nga inteligjenca e cila e njeh mirë situatën, nëse situata është ushtarake, duhet të përshkruhet armiku deri në detajet më të vogla dhe ajo që është më e rëndësishmja situata përcakton edhe suksesin e operacionit. Në këtë paragraf, përshkruhen gjërat deri në detaje, përshkruhen dhe parashikohen rreziqet e mundshme, mundësitë e humbjeve në njerëz, në pajisje dhe teknikë, në humbjen e kredibilitetit vendor dhe ndërkombëtar, rreziqet politike vendore, diplomatike, rajonale dhe ndërkombëtare etj. Pastaj përshkruhet terreni, vegjetacioni, vështirësitë dhe lehtësirat gjatë zhvillimit të një operacioni e deri te kushtet atmosferike, më së paku për 24 orët e ardhshme.
Për të shkruar këtë opinion u intrigova nga emisioni “Jeta në Kosovë” i datës 28.07. 2011 nga pyetjet shpesh të ngutshme dhe të palogjikshme të udhëheqëses së emisionit dhe nga përgjigjet e disa mysafirëve që gjendeshin në studio që për fat të keq, ose nuk kishin njohuri ose nuk donin të flisnin për çështjet e sigurisë në aspektin strategjik, operativ dhe taktik. Në këtë kontekst, Jeta Xhara i shtroi një pyetje këshilltarit të kryeministrit se a kishte pasur qeveria një plan për operacionin në veri? Dhe a ishte ngritur dhoma e situatave?
Për njohuri të opinionit dhe gazetarëve duhet të them se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka Sekretariatin dhe mbështetet nga një Qendër e Situatave (Si Qendër Operative Kombëtare) në rast të ndonjë incidenti serioz apo madhor. Kjo qendër aktivizohet në raste incidentesh apo krizash me karakter kombëtar. Sepse, sipas planit të Reagimit Kombëtar i hartuar dhe i aprovuar nga Qeveria e Kosovës, në të gjitha incidentet pa marrë parasysh llojin vendin dhe kompleksitetin deri në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme këto incidente apo kriza i menaxhon Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht
(ministri i punëve të brendshme), i cili sipas këtij plani është i caktuar edhe si koordinator. Sidoqoftë pa dashur të mbaj një ligjëratë për planet operative ose për paragrafët e planit operativ dua të vazhdoj dhe të them disa karakteristika rreth operacionit të njësisë speciale në veri të Kosovës. Sipas këshilltarit të kryeministrit, tre ishin qëllimet kryesore të këtij operacioni:
• Zbatimi i Kushtetutshmërisë, shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit në veri të vendit
• Funksionalizimi i doganave dhe
• Implementimi i masave të reciprocitetit me Serbinë edhe në pikat 1 dhe 31
Pa dashur të flasim se a kishte ky operacion mangësi dhe a ishte përgatitur mirë, fillimisht duhet të pajtohemi se të gjitha këto qëllime ishin dhe janë të ligjshme dhe plotësisht të arsyeshme e të pritura gjatë. Por të kthehemi edhe një herë tek operacioni, sepse janë disa çështje që pa të drejtë i adresohen kryeministrit të vendit:
E para: Operacionet e tilla janë tepër sekrete dhe edhe pse përgatiten nga grupi planifikues, koha e implementimit ose e zbatimit është e panjohur edhe për vet ata (planifikuesit).
E dyta: E dëgjova me vëmendje pyetjen e Jetës që ia shtroi ekspertit të grupit të krizave, një pyetje lidhur rreth shkarkimin të drejtorit të policisë dhe se a duhej të njoftohej EULEX-i për këtë operacion. Përgjigjja duhet të kërkohet brenda rregullave dhe mënyrave të menaxhimit të krizave, sepse në raste të tilla tërë operacioni mund të dështojë nga një informacion i adresuar gabimisht. Mu duk e pavend dhe jashtë logjikës së menaxhimit të krizave përgjigja e ekspertit se kryeministri është dashur ta njoftojë EULEX-in dhe edhe më e pa logjikshme ishte mbrojtja në një farë mënyre e drejtorit të policisë i cili gjoja paska kërkuar ose sugjeruar apo rekomanduar që të njoftohej EULEX-i. Në këtë Operacion kryeministri ishte vendimmarrësi kryesor dhe është qesharake që niveli vartës, siç ishte drejtori i Policisë së Kosovës (nëse kjo është e vërtetë), të hezitonte apo të binte ndesh me urdhrat e vendimmarrësit. Dhe në këtë rast ose për operacione të tilla vetëm shkarkimi nga pozita është një dënim i vogël dhe simbolik.
Kërkesat e disa ekspertëve, opozitës dhe një pjese të opinionit për radikalizim edhe të mëtutjeshëm të situatës janë të papërgjegjshme dhe të papeshuara në aspektin e sigurisë, sepse Kosova nuk është në luftë me qytetarët e saj dhe në territorin e vet, qëllimi kryesor është arritur falë vendosmërisë së kryeministrit dhe njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës me këtë operacion plotësisht të suksesshëm e theu ‘Status Quo-n’ dhe shkriu konfliktin e ngrirë për 12 vite radhazi që e kishte krijuar një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë dhe të heshtur me UNMIK-un dhe Serbinë.
Sa u përket deklaratave të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare kundër këtij operacioni mund të themi se këto qarqe e kishin krijuar bindjen se shqiptarët në përgjithësi dhe vendimmarrësit në veçanti për dymbëdhjetë vite rresht nga politika diplomacia dhe vendimmarrja e kishin mësuar vetëm fjalën ‘yes’, kurse pas këtij operacioni për fatin e tyre të keq, ndoshta mund të bëjnë pushime verore shqetësuese në plazhet më të njohura botërore, por me gjasë pushimet do t’u kalojnë duke i rishkruar dhe përmirësuar skenarët për Kosovën që i kishin sjellë në CD-të e tyre këtu e dymbëdhjetë vite më parë.
Është shumë vështirë që të hartohet dhe implementohet një plan i tillë operativ, i cili ngërthen në vete premisa të interesave strategjike, politike, ekonomike dhe diplomatike. Me këtë operacion kryeministri i Kosovës sfidoi rreziqet e brendshme që kërcënonin sigurinë e brishtë të shtetit të Kosovës, sfidoi dhe rrezikoi sigurinë mes dy shteteve (Kosovë –Serbi), sfidoi tërë rajonin e Ballkanit, njëkohësisht sfidoi sferat e interesave gjeostrategjike ndërkombëtare duke dëshmuar se është një burrë shteti me aftësi dhe shkathtësi të shkëlqyeshme vendimmarrëse.
Në historinë e menaxhimit të krizave, të rralla janë rastet kur përmes prodhimit të një krize të zgjidhësh një krizë, siç është rasti i konfliktit të ngrirë në veriun e Kosovës dhe mu në zemrën e “Evropës Demokratike”.
(Autori është udhëheqës i Divizionit të analizave dhe planifikimit emergjent në Agjencinë e menaxhimit emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës)