Site icon Telegrafi

Plani i ngatërruar i neutralitetit i Zelenskyt, nuk është zgjidhja e duhur për Ukrainën

James Sherr / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në fjalimin e 20 marsit drejtuar Knesetit (Parlamentit të Izraelit – v.j.), presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e citoi Golda Meirin – kryeministren e ndjerë të Izraelit: “Duam të jetojmë, fqinjët tanë duan të na shohin të vdekur”.

Për një president që me fjalët e tilla i karakterizon qëllimet e Rusisë, është e çuditshme kërkesa e Zelenskyt për marrëveshje neutraliteti. Akoma më i çuditshëm është besimi i tij se siguria mund të garantohet nga një vend interesat e të cilit janë armiqësore ndaj vendit të tij. Megjithatë, kjo është ajo që po propozon plani i Ukrainës për neutralitetin e që u prezantua gjatë javës së kaluar.

Para Luftës së Parë Botërore, neutraliteti ishte status i pranuar ligjor, i negociuar me kujdes dhe i respektuar në masë goxha të madhe. Neutraliteti belg – i sanksionuar me Traktatin e Londrës të vitit 1839 – ka zgjatur derisa Gjermania nuk e prishi si një “copë letre”, për ta pushtuar këtë vend në vitin 1914. Traktati i Parisit i vitit 1815 e njohu “neutralitetin e armatosur” – bazën e statusit të Zvicrës. Pas humbjes përfundimtare të Napoleon Bonapartit, Franca u bë garantuese e asaj marrëveshjeje dhe e sistemit të përgjithshëm të ujdive.

Fati i vendeve neutrale të shekullin XX – si Belgjika dhe Norvegjia – i kishte disa përparësi. Finlanda është rasti që e vërteton këtë. Neutraliteti i saj u ruajt sepse Bashkimi Sovjetik e ka kuptuar se pavarësia e Finlandës është e pathyeshme.

A mundet Ukraina ta sigurojë neutralitet e stilit finlandez? Njëjtë si Finlanda, ajo pa nda e ka luftuar Rusinë. Por, zmbrapsja e forcave të saj nuk është aspak e pamundur, ndërsa interesat e Rusisë në Ukrainë i tejkalojnë interesat e saja në Finlandë. Kur Ukraina nuk zmbrapset, miti i një “bote ruse” shembet. Për Vladimir Putinin është obsesion personal ta zhbëjë atë që ai e konsideron si krim i ndarjes së Rusisë nga “Rusia e Vogël”.

Në bazë të këtyre faktorëve, janë spekulative motivet e Zelenskyt për t’i zhvilluar negociatat. Por, ato janë të qarta. Së pari, 14 vjet pasi NATO-ja deklaroi se Ukraina një ditë do t’i bashkohet aleancës, garancitë e saj e kanë gjithë madhështinë e rrobave të perandorit (e vërteta që nuk guxon të thuhet – v.j.). Kur bëhet fjala te mjetet që duhen për ta parandaluar humbjen, partnerët e Ukrainës në NATO i kanë ofruar ato me bollëk. Kur bëhet fjalë për gjërat që nevojiten për ta ndalur masakrat masive, këtu ka ngurrime. Qartazi, Zelensky vendosi se Ukraina ka nevojë për një tjetër themel sigurie.

Së dyti, shkalla e disfatave të Rusisë – që nga 24 shkurti – nuk është humbje për të. Ai ka arritur në përfundimin se negociatat e vështira mund ta shtojnë gatishmërinë e Rusisë për kompromis. Tashmë Rusia ka hequr dorë nga këmbëngulja e saj për “denazifikimin” (ndryshimin e regjimit) dhe për “çmilitarizim” (çarmatimin e Ukrainës).

Së treti, të vetmin qëllim që Rusia nuk e ka braktisur – njohja nga Ukraina e shteteve të shkëputura të Donbasit (në masën e plotë “administrative”, për dallim nga kufijtë e përkohshëm) dhe aneksimi i Krimesë nga Moska – është anatemë për Ukrainën. Zelensky nuk i bindet këtij kushti.

Së paku duhet të parashtrohen katër pyetje. Fiilimisht, në lidhje me bashkëpunimin NATO-Ukrainë: ndërthurja e rrjeteve ushtarake dhe një gamë e gjerë trajnimesh dhe ndihmash kanë luajtur rol të madh në kulturën ushtarake dhe në sigurinë kombëtare të Ukrainës – që nga nënshkrimi i Kartës për një Partneritet të Veçantë më 1997. A është Zelensky gati të heqë dorë nga këto marrëdhënie për hir të një paqeje të dyshimtë me Rusinë?

Së dyti, çfarë nënkuptohet me garancitë e sigurisë që janë “më të forta se ato të Nenit 5 të NATO-s” të dhëna nga vende tjera si ShBA-ja, Rusia dhe Izraeli? Individualisht apo kolektivisht? Me çfarë mjetesh? Neni 5 nuk e merr fuqinë e vet nga fjalët, por nga interesat e përbashkëta, nga integrimi i ngushtë, nga mekanizmat e përpunuar komandues dhe nga kontrolli dhe zakonet e bashkëpunimit që u zhvilluan përgjatë dekadave. Pa këto, garancitë janë veç llafe.

Së treti, pse shtetet që nuk dëshirojnë t’i zgjerojnë garancitë e sigurisë së Ukrainë si pjesë e NATO-s, duhet t’i japin ato nëse ajo është jashtë NATO-s? Arsyeja pse Ukrainës nuk i ofrohet anëtarësimi në NATO nuk është sepse konsiderohet e padenjë për këtë – siç duket se po beson Zelensky – por sepse aleatët e NATO-s nuk janë të gatshëm të shkojnë për të në luftë e kundër një Rusie të armatosur me armë bërthamore.

Dhe e fundit, pasi Ukraina të jetë zyrtarisht në paqe me Rusinë, kush në Perëndim do të merret me këtë rast për t’i ofruar më shumë mbështetje ushtarake Ukrainës, për t’i mbajtur në fuqi sanksionet apo për ta dobësuar Rusinë? Sot për sot, janë të turpëruar dhe të diskredituar të gjitha ata që duan të heqin dorë nga Ukraina. Shpallja e neutralitetit ukrainas do t’i përforcojë pozicionet e tyre.

Nuk është sekret se kushtet e Kievit u hartuan kryesisht nga zyra presidenciale e Zelenskyt, me pak kontribut nga ministria e Jashtme dhe nga ajo e Mbrojtjes. Vula e amatorizmit është mjaft e dukshme. Ngushëllimi vjen nga premtimi i Zelenskyt se popullit ukrainas do t’i jepet fjala e fundit. Por, ai mund të habitet nga ajo që ata do ta thonë.

 

 

Exit mobile version