Lidhur me lajmin se kryeministri slloven Janez Jansha ka paraqitur një “plan për riorganizimin e kufijve të Ballkanit”, mediat atje kanë kërkuar edhe një koment nga ambasada amerikane në Slloveni.
Sipas mediave atje, ambasada amerikane, në përgjigjen e tyre ka thënë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me BeH dhe se ata mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili parashikohet në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët të një Bosnje dhe Hercegovine demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të prosperuar në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik”, citohet të jetë shkruar në përgjigjen e ambasadës amerikane në Slloveni, përcjell Telegrafi.
Në përgjigje, ata gjithashtu kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësim në organizatat Euro-Atlantike.
“Ne jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, është thënë më tej në përgjigjen e ambasadës amerikane në Slloveni.
Ndryshe, një reagim ndaj një “dokumenti të tillë” ka ardhur edhe nga eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon.
Fajon ka shkruar se pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për këtë vend është tashmë shumë i madh, përcjell Telegrafi.
Siç ka thënë më tej Fajon, mënyra e vetme për paqe, bashkëpunim dhe bashkëjetesë të vendeve dhe kombeve në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e tyre e qartë evropiane. /Telegrafi/