Telegrafi

Plani i objektivave sektoriale

I gjithë ky plan, i cili është duke u hartuar në Bullgari nga ministrat e sektorit të zhvillimit ekonomik, do t’i prezantohet kabinetit qeveritar për miratim, e pastaj do të kalojë edhe në Kuvendin e Kosovës. E, kjo nismë është ndërmarrë me ndihmën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila po mbështetet edhe nga Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe USAID-i.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, ka treguar për Express, se ministrat e secilit sektor kanë prezantuar objektivat e tyre për periudhën 4 deri 5-vjeçare.

“Pikat kryesore të këtij plani janë objektivat sektoriale, të infrastrukturës, zhvillimi i sektorit të energjisë e minierave, bujqësisë, privatizimit. Ndërsa në proces është edhe pika për përmirësimin e ambientit të biznesit dhe në fund do të bëhet një prezantim i përbashkët i gjithë këtyre sektorëve, në mënyrë që të kemi një përmbledhje të këtyre objektivave strategjike”, tha ministrja Kusari-Lila.

Ekspertët thonë se ka qenë koha e fundit kur duhej të hartohej ky plan për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. /Telegrafi/