Një planet “Super-Toka” i gjetur jashtë sistemit tonë diellor mund të ketë kushte të përshtatshme për jetë, sipas ekspertëve nga Universiteti i Oksfordit.
Hulumtuesit thanë se planeti ka një masë gjashtë herë më të madhe se Toka jonë, dhe orbitohet në një “zonë të banueshme” të një ylli të ngjashëm me Diellin.
Ndërkohë që ndodhet 20 dritë vite larg, shkencëtarët besojnë se planeti – i quajtur HD 20794 d – mund të jetë në distancën e duhur nga ylli i tij për të mbajtur ujë në sipërfaqen e tij, transmeton Telegrafi.
Dr. Michael Cretignier, asistenti i kërkimit në departamentin e fizikës në universitet, tha: “Për fat të mirë, afërsia e tij me ne do të thotë se ka shpresa për misionet e ardhshme hapësinore për të marrë një imazh të tij”.
Megjithatë, për shkak se HD 20794 d orbitohet në një mënyrë eliptike, në vend të një rruge rrethore si Toka, nuk është e qartë nëse do të jetë në gjendje të ‘ketë’ jetë.
Ai u identifikua për herë të parë nga Dr. Cretignier në vitin 2022, pasi gjeti një sinjal të mundshëm gjatë analizimit të të dhënave të arkivuara të regjistruara nga spektrografi High Accuracy Radial Velocity Planet Searcher në Observatorin La Silla në Kili.
Një ekip ndërkombëtar hulumtuesish më pas analizoi dy dekada të vëzhgimeve, për të konfirmuar zbulimin e HD 20794 d.
“Për mua, ishte natyrshëm një gëzim i madh kur mundëm të konfirmonim ekzistencën e planetit”, tha Cretignier.
“Po ashtu ishte një lehtësim, pasi sinjali origjinal ishte në kufirin e mundësive të detektimit të spektrografit, prandaj ishte e vështirë të ishim plotësisht të bindur nëse sinjali ishte real apo jo”, shtoi ai. /Telegrafi/