Zëvendësministri i Ministrisë se Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka bërë të ditur se kjo ministri po planifikon që të vendosen taksa në autostradat R7 “Ibrahim Rugova’ dhe R6 ‘Arbën Xhaferi’.
Kadriu për ka thënë se taksa do të jetë më pak se 5 euro, që sipas tij vendosja e kësaj shume është e nevojshme sepse përmes saj do të mirëmbahen këto investime.
“Sa i përket autostradës R7 “Ibrahim Rugova” dhe R6 “Arbën Xhaferi” është duke u menduar metoda e vendosjes se taksave e cila, i sigurojmë të gjithë qytetarët, nuk do të jetë kaq e lartë dhe për më tepër, ne po e përgatisim edhe infrastrukturën alternative, për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë të lëvizin përmes këtyre autostradave (për shkak të pamundësisë për të paguar taksen) dhe kanë nevojë të dalin në pikat kufitare “Morinë” dhe Hani i Elezit apo anasjelltas, do ta kenë mundësinë të zgjedhin edhe rrugët nacionale”, tha Kadriu për kallxo.com.
Ai ka thënë se taksa është e nevojshme për shkak se rruga ka kosto të lartë të mirëmbajtjes. “Taksa është e nevojshme të vendoset, sepse përmes saj do të mirëmbahen këto investime te cilat kanë bërë zgjidhje të përhershme të një qarkullimi shumë të shpejt dhe modern nëpër Kosovë por edhe në raport me vendet tjera”, shtoi zëvendësministri i MI-së.
Këto deklarata janë bërë pas vendimit të institucioneve të Shqipërisë për vënien e taksës prej 5 euro në Rrugën e Kombit. /Telegrafi/