Telegrafi

Plane për konferencë donatorësh për Kosovën

Përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës vazhdojnë. Negociatat ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës aktualisht drejtohen nga Grupi i Kontaktit.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, ka bërë të ditur për Zërin e Amerikës se BE-ja po përpunon hollësitë e fundit për përfshirjen e saj në Kosovë pas zgjidhjes së statusit. Brukseli është gjithashtu duke bërë plane për mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh.

”Ne shpresojmë të përkrahim sistemin gjyqësor, sistemin e policisë. Ne do të shkojmë atje me më tepër ndihma ekonomike për modernizimin e Kosovës. Unë isha sot në diskutime me Bankën Botërore për këtë çështje. Ne jemi të gatshëm të mbajmë një konferencë të madhe donatorësh për të ndihmuar në çështje të ndryshme, përfshirë çështjen e borxhit që është një problem i madh. Pra ne jemi të gatshëm të luajmë një rol shumë aktiv por ne para se gjithash kemi nevojë për një marrëveshje e cila të tejkalonte situatën e tanishme që për ne është e paqëndrueshme”. /VoA/