Telegrafi

Plakolli fillon grevën e urisë, para Teatrit Kombëtar (Foto)

Sokol Plakolli që nga orët e mesditës së sotme ka filluar grevën e urisë me moton “Artistët këmbëzbathur, me sy të lidhur e gojë të mbyllur”.

Lexo po ashtu Plakolli bërtet “Udbasha” dhe thyen pjata pas premierës në Teatrin Kombëtar (Video)

Greva e urisë ka filluar në ora 12:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës, raporton KosovaPress.

Greva do të realizohet në qiellin e hapur, poshtë shkallëve të TKK-së, dhe do të zgjas deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara.

Të ftuar janë të gjithë artdashësit, qytetarët dhe komuniteti artistik që ta përkrahin grevën për të cilën thotë se për qëllim “kthimin e vlerave kombëtare në Teatrin Kombëtar të shtetit tonë”.

Për të qenë përkrahës i grevës (pjesë e grevës) përkrahësit – grevistët duhet të nënshkruhen në librin e grevistëve, ku do të lënë kontaktin dhe të dhënat e tyre personale.

Kërkesat janë këto:

1. Shkarkimin e këshillit të korruptuar dhe jo legjitim të TKK-së. Si pasojë shkarkimin e drejtorit gjeneral dhe artistik të TKK-së të cilët gjithashtu janë pjesë e korrupsionit brenda institucionit të TKK-së. Si dhe rishqyrtimin e vendimeve të këtij këshilli që nga emërimi i tij!

2. Në rast se Ministri i Kulturës, z. Kujtim Shala, i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në TKK, nuk ndërmerr hapa konkret për sanimin e gjendjes së rëndë të krijuar brenda TKK-së për një afat të shkurtë kohorë, do të kërkohet nga instancat shtetërore shkarkimi i ministrit, për shkak të neglizhencës së tij, ndaj pozitës së tij zyrtare.

3. Në ligjin për teatro, të amendamentohet kthimi i pleqësisë së teatrit i përbërë nga grup artistësh të pavarur, të zgjedhur nga vet komuniteti i artistëve të teatrit, si organ mbikëqyrës i Këshillit të TKK-së.

4. Të forcohet pozita e sindikatës së teatrit duke i dhënë hapësirë të përhershme brenda institucionit të TKK-së.

5. Të hapen dyert e mbyllura të teatrit për artistët e teatrit!