Telegrafi

Plakja bën që sytë të mos dallojnë ngjyrat

Shkencëtarët kanë zbuluar që të moshuarit humbin aftësinë e dallimit të ngjyrave, sepse pjesa e syrit e quajtur konus receptor bëhet më pak e aftë për të përpunuar ngjyrat. Por pjesët tjera të sistemit tonë vizual punojnë më shumë për t’u minimizuar pasojat.

Në studimin të cilin e ka kryer Universiteti i Liverpoolit, ekspertët kanë kontrolluar 185 njerëz në mes moshës 18 dhe 75 vjeç, të cilët i shohin ngjyrat në mënyrë normale. Ata kanë zbuluar që dukja e ngjyrave në sytë e vullnetarëve nuk ka ndryshuar.

Por me kalimin e kohës reduktohet aftësia e dallimit të nuancave, veçanërisht për ngjyrat që janë në boshtin verdhë-blu.

Kjo është bërë e dukshme kur pjesëmarrësit janë testuar derisa shikonin nuancat e ngjyrës së gjelbër në dritën e ditës. Vullnetarët e rinj kanë parë ngjyrën e gjelbër derisa më të moshuarit më shumë kanë parë ngjyrën e verdhë.

Sophie Wuerger, autorja e studimit ka përfunduar që rrugët e caktuara nervore kompensojnë atë që nuk shohim, dhe sytë tanë me ndihmën e trurit i shohin ngjyrat normalisht edhe në moshën më të shtyrë.