Site icon Telegrafi

Plagosje e rëndë në Shkozë të Malishevës

“Rreth orës 02:05 min, në fshatin Shkozë të Malishevës, ka ndodhur një incident i rëndë, që për pasojë, një person i gjinisë mashkullore nga një fshat tjetër i Malishevës, është gjetur i plagosur rëndë. Viktima është gjetur në veturën e tij, i përgjakur”, ka njoftuar Zyra e Informacionit nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prizren, transmeton Koha.

Parafangoja e veturës sipas këtij njoftimi ishte e shpuar në disa vende, siç është kumtuar "me gjasë nga plumbat e armës së zjarrit, e një kalibri të vogël".

Rasti i plagosjes së rëndë është konfirmuar edhe nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare të Malishevës. Aty është njoftuar se menjëherë pas dhënies së ndihmës së parë pacienti është përcjellë me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Sipas të dhënave viktima ka qenë i plagosur në kokë. Policia në ndërkohë ka njoftuar se e ka arrestuar një të dyshuar në lidhje me këtë incident të rëndë ku edhe ka sekuestruar një revole me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Burime nga Shkoza njoftojnë se i dyshuari është një i moshuar nga ky fshat. Policia të martën ka deklaruar se është në hetim të rastit, ndërkohë që në fillim të procedurave hetimore nuk ka mundur të flasë për motivet e kryerjes së veprës. /Telegrafi/
 

Exit mobile version