Dy persona u vranë, përfshirë edhe sulmuesin e dyshuar, dhe disa të tjerë u plagosën, gjatë tubimit të Donald Trump në Pensilvani.
Trump raportohet se u qëllua me një plumb që i “shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë”.
“E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova zhurmë, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”, shkroi Trump në llogarinë e tij të Truth Social.
Agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën Trumpin nga skena me të dëgjuar të të shtënave dhe e larguan me një automjet që e priste.
Trump dukej i gjakosur në njërën pjesë të fytyrës.
Policia e armatosur doli në podium menjëherë.
Shërbimi Sekret tha përmes një deklarate se Trump është i siguruar dhe se masat për mbrojtjen e tij janë zbatuar.
Ai shtoi se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme.
Trump, kandidat i Partisë Republikane për president në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit, po u drejtohej mbështetësve të tij në Batlër të shtetit të Pensilvanisë.
Një zëdhënës i tij tha për CNN-in se Trump është mirë dhe nën kujdesin e mjekëve.