Gjykata e Shkodrës ka vendosur të miratojë masën e sigurisë “arrest me burg” për Lulzim Rakajn, të akuzuar për plagosjen e dy personave në Malësinë e Madhe, ngjarje e ndodhur më 15 shtator.
Pala mbrojtëse ka kërkuar masë sigurie më të lehtë, por kjo është refuzuar nga gjyqtari Albert Keraj. Në seancë, Rakaj ka deklaruar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi dyshonte se dy të plagosurit kishin armë.
Këtë variant Rakaj kishte deklaruar edhe gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit. Rakaj ka thënë se kishte shkuar për t’u sqaruar me dy personat që plagosi pasi ata disa ditë më parë i kishin rrahur nipin. Ai sqaron se ka pasur një debat mes tyre dhe tregon se ka nxjerrë armën pasi dyshonte se ishin të armatosur.
“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur, vetëm 13 vjeç. Di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur.Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, tha Rakaj.
Mëngjesin e së dielës, Lul Rakaj qëlloi me pistoletë dhe plagosi Besmir Çofin dhe Avenir Hasanajn, të cilët u dërguan në spitalin e Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autori u largua më pas nga vendngjarja për t’u arrestuar disa orë më pas nga forcat speciale, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.