Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Fier, ku një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Incidenti ndodhi rreth orës 21:00, në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Zogut të Zi”.
Sipas Policisë, shtetasi me iniciale G. H., 40 vjeç, banues në Fier, u qëllua nga shtetasi me iniciale M. B., banues në Cakran, i cili tashmë është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Plagosja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa 40-vjeçari u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga ana tjetër, policia ka nisur ndjekjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/