Një prej truprojave të Floyd Mayweather ka mbetur i plagosur pas një sulmi mbi kolonën e veturave të boksierit legjendar që udhëtonte drejt një hoteli në Atlanta.
Departamenti i policisë në Atlanta ka bërë të ditur se në njërën prej tri veturave ndodhej edhe boksieri i famshëm, mirëpo ai nuk ishte në veturën ku ka ndodhur sulmi dhe nuk ka marrë lëndime.
Hetuesit kanë thënë se ata janë duke u përpjekur ta konfirmojnë se cili ishte qëllimi i sulmuesit.
“Tash për tash, duket se kjo nuk ishte një qitje e rastësishme dhe se qitësi e kishte shënjestruar automjetin e viktimës”, ka thënë zëdhënësi i ADP, Donald Hannah, për Atlanta Journal-Constitution.
Truporja e Mayweather, Gregory La Rosa, ishte dërguar në një spital në Atlanta, ku është trajtuar për një plagë të pësuar në këmbë dhe është lëshuar nga spitali.
Kolona e veturave ishte duke u larguar nga një klub nate në orët e hershme të mëngjesit të të hënës, ndërsa anash tyre është ndalur një automjet tjetër dhe ka hapur zjarr.
Eskorta e Mayweather nisi menjëherë të lëvizë, por u ndoq nga vetura e qitësit. Më pas është larguar vetura e sulmuesit dhe shoferi e ka dërguar La Rosan në spital. /Telegrafi/