Gjatë dhjetë ditëve të fundit kazinot në Strumicë kanë qenë cak i sulmeve, ndërsa mbrëmë është kryer sulm i armatosur në kazinon ‘Astra’ në Shkup.
Rreth orës 22, në kazinon që ndodhet në bulevardin “Aradhat partizane”, në afërsi të kryqëzimit mes qendrës tregtare “Leptokaria” dhe poliklinikës “Bukuresht”, ka ndodhur një vjedhje e rëndë e kazinos “Astra”.
Sipas informacioneve paraprake, në kazino u futën dy persona të veshur me rroba të bardha dhe me maska në fytyrë, kurse të dy ishin të armatosur me pushkë automatike “Kallashnikov”.
Vjedhja ndodhi me shpejtësi të rrufeshme, kurse gjatë plaçkitjes, sipas informacioneve të pakonfirmuara, njëri nga sulmuesit gjuajti dy plumba në tavanin e kazinos. Sulmi, sipas sigurimit privat zgjati rreth 20 sekonda.
Pasi i morën paratë, u futën në makinën që i priste dhe u larguan në drejtim të panjohur. Nga MPB konfirmuan ngjarjen dhe njoftuan se policia po punon për zbardhjen e rastit, kurse në vendngjarje është kryer ekspertiza nga ana e policisë./Telegrafi/