Është plaçkitur shtëpia e pabanuar e avokatit, Bajram Kelmendi i cili bashkë me dy djemtë e tij ishte vrarë nga forcat serbe 25 vjet më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur mbesa e Kelmendit, Elena, e cila përmes një postimi në rrjetin social në Instagram ka thënë se mbrëmjen e së mërkurës e kanë parë shtëpinë të plaçkitur.
“Viti 2024 rreth një javë pas 25 vjetorit të vdekjes se familjarëve tanë, njerëzit që dhanë shumë më shumë se jetën për këtë vend, e shpija ku kanë jetu e vepruar këta dëshmorë u thye e u vjedh prej njerëzve të poshtër e të pashpirt.
Na kemi mbi 10 vjet që nuk jetojmë në atë shtëpi, e siç dihet shtëpitë e pabanueshme nuk kanë asnjë gjë të vlefshme brenda. Çka ka të vlefshme ajo shtëpi janë kujtimet e njerëzve që nuk jetojnë mo. E po m’doket që edhe qato kujtime po mundohen me i marr”, ka shkruar ajo.
Telegrafi është munduar të marr informacion shtesë në lidhje me këtë rast nga Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, mirëpo të njëjtit nuk janë të qasshëm. /Telegrafi/