Në disa shtatzëni, placenta është e vendosur poshtë në mitër, duke mbuluar pjesërisht ose plotësisht hapjen e qafës së mitrës
Kjo gjendje quhet placenta previa dhe paraqet një rrezik të mundshëm si për nënën, ashtu edhe për foshnjën, për shkak të sasisë së tepërt të hemorragjisë para ose gjatë lindjes.
Placenta previa mund të haset në 1 nga 200 shtatzëni dhe mund të marrë 1 nga 2 format e mëposhtme:
1-Placenta previa e kufizuar – skaji i placentës ndodhet 2 centimetra larg nga hapja e qafës së mitrës, por nuk e mbulon atë. Në këtë rast, është e mundur të bëhet lindje natyrale.
2-Placenta previa – placenta mbulon hapjen e qafës së mitrës, duke e bërë të pamundur lindjen natyrale, sepse ekziston rreziku i një hemorragjie të madhe.
Shkaku i placenta previa-s nuk njihet, por ashtu si shkëputja e placentës, edhe kjo gjendje haset më shpesh te gratë që kanë lindur më parë, tek ato më të mëdha në moshë dhe tek ato që pinë duhan.
Rreziku është edhe më i madh, nëse keni kryer ndonjë ndërhyrje kirurgjikale në mitër. Rreziku duket se rritet ndjeshëm edhe nga lindjet e mëparshme të kryera me operacion.
Shenjat dhe simptomat
Hemorragjia vagjinale pa dhimbje është shenja kryesore e placenta previa-s. Gjaku zakonisht ka ngjyrë të kuqe të ndezur dhe sasia mund të variojë. Hemorragjia mund të ndalojë, por ajo shfaqet thuajse gjithmonë pas disa ditësh apo javësh.
Thuajse të gjitha rastet e placenta previa-s, mund të konstatohen përmes kontrollit me ultratinguj, para se të keni hemorragji. Meqenëse edhe kontrollet më të lehta në qafën e mitrës mund të shkaktojnë hemorragji, mund të kryhen vetëm kur lindja është e planifikuar dhe në rastet kur lindja me operacion është urgjente.
Me zgjerimin e mitrës, edhe placenta mund të lëvizë nga hapja e qafës së saj, në mënyrë që të kryhen disa kontrolle me ultratinguj.
Trajtimi
Ai varet nga disa faktorë, përfshirë faktin nëse fetusi është zhvilluar mjaftueshëm për t’u sjellë në jetë ose nëse ju keni hemorragji vagjinale. Nëse placenta ndodhet shumë pranë, por nuk e mbulon qafën e mitrës dhe ju nuk keni hemorragji, atëherë mund të qëndroni në shtëpi në regjim shtrati.
Meqenëse ekziston mundësia e një lindjeje të parakohshme, ju do të merrni një mjekim, përmes të cilit nxitet zhvillimi i mushkërive të fetusit.
Nëse hemorragjia përsëritet, mund të shtroheni në maternitet dhe kur foshnja të jetë mjaftueshëm e sigurt për t’u sjellë në jetë, mund të planifikohet një lindje me operacion.
Nëse keni shumë hemorragji, është e nevojshme të kryhet lindje urgjente me operacion, këshillon Living.
Gratë që kanë pasur placenta previa në shtatzënitë e mëparshme, kanë më pak gjasa që t’u shfaqet edhe në shtatzënitë e tjera. Në shumicën e rasteve, placenta previa mund të konstatohet saktë që në fazat e hershme.
Në qoftë se placenta është e vendosur mbi zonën e mitrës, ku gjendet vraga e operacionit të parë, mund të rrezikoheni nga placenta akreta, që do të thotë se placenta rritet në muskulin e mitrës. Për pasojë, lindja tjetër me operacion do të ketë më tepër komplikacione.
/Telegrafi/