Disa ditë pas sulmit terrorist në kryeqytetin turk, Ankara, militantët e Partisë së Punës të Kurdëve (PKK), kanë marrë përgjegjësinë për aksionin në uzinën TUSAS.
Grupi thotë se kompania e mbrojtjes, TUSAS dhe punonjësit e saj ishin një objektiv legjitim ushtarak, sepse produktet e kompanisë “përdoren nga ushtria turke për të vrarë civilë në territorin e kontrolluar nga kurdët në Siri dhe Irak”.
Ata e quajtën vdekjen e shoferit të taksisë, të cilin sulmuesit e qëlluan për të vjedhur veturën, një humbje të pashmangshme, shkruan aljazeera.
Goditja hakmarrëse e forcave turke ndaj pozicioneve kurde në Siri dhe Irak konsiderohet si një dështim nga PKK-ja, sepse, sipas tyre, janë goditur vetëm objektet civile, jo ato ushtarake.
Më 23 tetor, një sulm terrorist ndodhi në kompaninë turke të hapësirës ajrore, TUSAS, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur më shumë se 20 të tjerë.
Ndryshe, PKK-ja po lufton për autonomi në Turqinë juglindore që nga vitet 1980 – ku deri më tani kanë vdekur dhjetëra mijëra njerëz.
PKK-ja konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
Sulmi i sotëm në një objekt mbrojtës në Ankara vjen një ditë pasi kreu i partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë të Turqisë – aleate me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoganin – ngriti mundësinë që liderit të burgosur të PKK-së, Abdullah Ocalan, mund t’i jepet lirimi me kusht nëse ai heq dorë nga dhuna dhe shpërndahet organizata e tij. /Telegrafi/