Militantët nga Partia e Punëtorëve e Kurdistanit (PKK) kanë njoftuar se do të ndalin përkohësisht armiqësitë me turqit për të lehtësuar punën e rimëkëmbjes pas tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë juglindore dhe pjesë të Sirisë.
Një nga themeluesit e PKK-së, Cemil Bayik, tha se “mijëra njerëz tanë janë nën rrënoja” dhe u kërkoi atyre të përqendrohen në rimëkëmbje dhe jo në luftë.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave tona të përfshira në veprime ushtarake: të ndalojnë veprimet ushtarake në Turqi – metropole dhe qytete”, tha ai.
Bayik tha se pauza në luftime do të zgjasë “derisa dhimbja e popullit tonë të lehtësohet dhe plagët e tyre të shërohen”, raporton aljazeera.
Kujtojmë se PKK-ja është në listën e organizatave terroriste të shtetit turk dhe Bashkimit Evropian ndërsa po lufton për krijimin e një shteti të tyre në rajonet kurdë në Siri dhe Turqi.
Ndryshe, Turqia dhe Siria kanë pësuar dy tërmete të fuqishme, ku kanë mbetur të vdekur mbi 24 mijë persona. /Telegrafi/