Më 16 mars 2021, Gjykata Speciale në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), arrestuan Pjetër Shala në Belgjikë.
Siç njofton Specialja, më 15 prill 2021, Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.
Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër ish ushtarit të UÇK-së, Pjetër Shala më 12 qershor 2020. Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave.
Në aktakuzën e konfirmuar Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Së shpejti do të jepet informacion mbi datën dhe orën e paraqitjes së parë të Shala para Gjykatësit të Procedurës Paraprake.
Paraqitja e parë mbahet në seancë publike dhe mund të përcillet përmes faqes së DHSK-së në Internet.
Për arsye sigurie, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime.
Versionet e redaktuara publike të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim të Shalës mund të lexohen këtu.
Aktakuza mund të lexohet këtu, njofton Telegrafi.