Telegrafi

Pjetër Shala sërish ndjek virutalisht gjykimin ndaj tij, dëshmitari pyetet nga ekipi mbrojtës

Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të martë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Edhe në këtë seancë Shala po merr pjesë virtualisht, ndërsa po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të pestë, i cili po merret në pyetje nga ekipi mbrojtës. Seanca po mbahet e mbyllur për publikun.

Lexo po ashtu Përfundon seanca, dëshmitari i pestë do të përgjigjet nesër në pyetjet e ekipit mbrojtës

Ndryshe, dëshmitari që mban numrin 10, ka dëshmuar edhe gjatë ditës së hënë ku ka folur për shtabin e logjistikës në Kukës, derisa ka pretenduar se Pjetër Shala ‘hynte e dilte pa pyetur askënd’.

Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /Telegrafi/