Site icon Telegrafi

Pjetër Shala kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në seanca publike

Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka kërkuar që seancat në këtë proces gjyqësor të jenë sa më shumë publike. Sipas tij, një gjykim duhet të publik për të qenë i drejtë, por duke mos përjashtuar kujdesin e sigurisë për të dhënat identifikuese të dëshmitarëve.

Në fillim të seancës, Gilissen ka folur rreth vendimit të Shalës për të mos marrë pjesë fizikisht në gjykatore dhe sipas tij një gjë e tillë po ndodh për shkak se pjesa më e madhe e dëshmive po mbyllen për publikun.

Sipas tij, Pjetër Shala kishte kontaktuar të martën me disa të njohur në Belgjikë e të cilët kishin thënë se nuk po kuptojnë asgjë nga ajo çfarë po ndodh në sallën e gjyqit, për shkak të dëshmia po dëgjohet në seancë private.

“E takova dje në mbrëmje në objektin e paraburgimit, ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, Shala nuk e ndoqi seancën, mund të them që sistemi gjyqësor po ashtu e humbi zotin Shala, është e dëshirë e zotit Shala të jetë i pranishëm, ai dëshiron të jetë i pranishëm gjatë seancave. Kur ai më shpjegoi, dhe unë jam shumë i ndjeshëm sepse është shumë delikate, më tha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, më tha se ajo që ndjeu ai, mbase për mirë apo për keq, ishte shumë e dhimbshme për të që po dëgjonte shumë nga gjërat që nuk po thuheshin në publik”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se Shala është i vetëdijshëm për çështjen e sigurisë së dëshmitarëve por sipas tij publiku duhet të dijë se çfarë po ndodh në sallën e gjyqit.

“Duhet të mbrojmë dëshmitarët por zoti Shala i cili ka probleme me zemrën, dhe ka pasur kriza kardiake, ishte vërtetë nervoz sepse pasi pati këtë kontakt me të njohurit, i krijoj njëfarë ndjesie të pakëndshme sepse e kuptoj që nuk po e ndiqte publiku, pra gjykimi nuk ishte publik…Besoj se Zoti Shala ka të drejtë, kemi një problem në këtë pikë, kur shohim si ka shkuar, po e respektoj, dua ta theksoj, e respektoj plotësisht vendimin por është për të ardhur keq që e humbëm zotin Shala sepse ai dëshiron të jetë pranishëm, ai nuk u tërhoq se kishte frikë nga dëshmitarët, nuk ndjehej fare mirë dhe kur e takuam ishte vështirë të komunikonim me të sepse kishte vërtetë probleme. Mendoj, me gjithë respektin, që ne duam ta keni parasysh këtë parashtrim”, ka thënë mbrojtja.

Lidhur me këtë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se janë përpjekur që dëshmitarët t’i marrin në pyetje sa më shumë në seanca publike por sipas tyre kjo nuk është e mundur gjatë gjithë kohës.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka thënë se prioritet duhet të jetë siguria e dëshmitarëve.

“Sigurisht që gjykata kërkon të gjejë një ekuilibër mes interesave për një gjykim të drejtë por në të njëjtën kohë të mbrojë dëshmitarët dhe kjo është diçka që do të jetë qind për qind e mundshme gjatë gjithë kohës. Prioriteti absolut është siguria dhe mbrojta e atyre që vinë për të dhënë dëshmi këtu dhe nëse kjo kërkon që duhet të kemi seanca private atëherë ashtu qoftë, dhe më vjen keq por ky është produkt i realitetit, ky është realiteti i Kosovës dhe kjo është një temë që është përmendur shumë herë nga gjykatës të ndryshëm dhe nga dëshmitarë në këtë gjykatë”, ka thënë ai.

Por sipas avokatit të Shalës, një gjyq duhet të jetë publik për të qenë i drejtë.

“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre. Përkundrazi, me gjithë respekt, parashtroj dhe e theksoj këtë, seancat publike janë një garanci për gjykimin dhe në kundërshtim me mbrojtësin e viktimave mund të them që jo, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, këtu duhet të gjejmë ekuilibrin. E dimë që është delikate për ju të nderuar gjykatës, është e vështirë për palët por nuk duhet të harrojmë parimet, dhe parimi është seanca publike”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka thënë se nëse trupi gjykues e kupton që një pjesë e transkriptit të seancave që është në privat mund të rikalsifikohet si publik, do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Pyetja është a do ta zgjidhim kështu ne këtë ekuilibër, duke mos qenë i pranishëm e zgjidhim ne mungesën e këtij ekuilibri. Ne do të bëjmë të pamundurën që t’i kemi sa më shumë publike seancat dhe ne si trup gjykues do të përpiqemi të japim më shumë udhëzime në këtë drejtim për palët, mbrojtësin viktimave, është edhe përgjegjësia e juaj, ju ta vlerësoni nëse është e mundur apo jo, dhe jo vetëm për shkak të një procesi publik por të kemi parasysh edhe sigurinë e dëshmitarëve”, ka thënë ajo.

Këtë seancë Pjetër Shala po e ndjek nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Ish-pjesëtari i UÇK-së është larguar të martën nga salla e gjyqit dhe ka vendosur të marrë pjesë në gjykimin kundër tij vetëm përmes video-lidhjes. Mbrojtja e tij ka thënë se ai nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë nervoz.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur i prokurorisë dhe pjesa më e madhe e dëshmive nuk janë të hapura për publikun ose transmetohen me përmbajtje të redaktuar.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KP/

Exit mobile version