Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar në Shkodër operacioni i koduar “Part of”, ku është arrestuar një 32-vjeçar me qëllim ekstradimi.
Sipas njoftimit, i njëjti ishte i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i akuzuar nga autoritetet e Italisë si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të narkotikëve.
“Pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e njësisë së specializuar FAST Albania, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Part of”.
Si rezultat i operacionit, u lokalizua në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, 32-vjeç”, thuhet në njoftimin për media.
32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e drogës”, sipas Kodit Penal të Italisë, ku parashikohet dënim deri në 20 vjet burgim për këtë vepër.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me partnerët italianë, për ekstradimin e shtetasit. /Telegrafi/