Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar dje se një pjesëtar i FSK-së ka ndërruar jetë.
Por në njoftimin e kësaj ministrie, nuk është bërë e ditur që Lavdim Ademi është gjetur pa shenja jete në kazermën ushtarake, shkruan lajmi.net
Kjo është bërë e ditur tek sot nga Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh. Vdekja e këtij pjesëtari të FSK-së, është cilësuar zyrtarisht si vdekje e dyshimtë dhe është listuar tek incidentet kriminale.
“Fsh. Mesbardhë, Fushë Kosovë 30.04.2016 – 12:22. Raportohet se në kazermën ushtarake të FSK-së është gjetur pa shenja jetë viktima mashkull K/Shqiptar pjesëtar i FSK-së. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku”, thuhet në raportin e Policisë.
Policia bën të ditur se rasti tashmë është duke u hetuar.
“Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. Njësiti përkatës policor është duke hetuar rastin”, përfundon raporti për këtë rast.