Një delegacion nga presidenca e Kosovës po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në inaugurimin e presidentit të 47-të Donald Trump.
Gjatë qëndrimit në Uashington dy pjesëtarët e stafit Learta Hollaj dhe Rejhane Vuniqi, kanë takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof.
Sipas njoftimit nga Presidenca, theksi i veçantë i takimi ishte dialogu strategjik Kosovë – ShBA, i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e po ashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët.
Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Alekxander Kasanof, theksoi rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa nga Presidenca u ritheksua nevoja që Dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke. /Telegrafi/