Telegrafi

Pjesëtarët e FSK-së hyjnë në Vala

Nga sot mbi 2700 punëtor të FSK-së do të mund të komunikojnë lirshëm me njëri tjetrin, kjo si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kjo marrëveshje e nënshkruar ka për qëllim që të lehtësoj komunikimin për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, shërbyesve civil të ministrisë dhe stafit politik.

Ai i cili e mirëpriti më së miri këtë marrëveshje ka qenë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Shkelzen Sylaj, i cili tha se në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, FSK dhe Vala, do të thellojnë bashkëpunimin edhe më shumë.

Sylaj, gjatë ceremonisë së nënshkrimit e cilësoi këtë marrëveshje si ndikuese pozitive e për funksionalitetin e ministrisë së Forcës e Sigurisë së Kosovës. “Kjo është marrëveshja e dytë e nënshkruar e bashkëpunimit. Në kuadër të kësaj të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe shërbyesit civil të ministrisë dhe stafit politik do të kenë mundësi të komunikimit në rrjetin tonë të brendshëm dhe çdo herë duke e pasur në konsideratë seriozitetin e institucionit që e ka Vala dhe shërbimet që i bënë. Dhe tani në fazën që gjendet në avancimin e shërbimeve sigurisht që do të jenë të mirëseardhura për institucionin ton dhe do të ndikojnë pozitivisht në funksionalitetin e ministrisë së forcës e sigurisë së Kosovës”, tha Sylaj

Kjo marrëveshje e cila është edhe e dyta që po nënshkruhet ndërmjet këtyre dy institucioneve po e fuqizon edhe më shumë Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i PTK-së, Agron Mustafa, tha se tani operatori Vala është shumë më e fuqishme se sa që ishte deri më tani, falë nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

“Sot pata kënaqësinë që së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të MFSK të nënshkruajmë marrëveshjen e telefonisë mobile me Valën që njëkohësisht kjo paraqet vazhdimin dhe në veçanti thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit të MFSK dhe PTK-së përmes operatorit Vala, mund të them shumë lirshëm që nga sot Vala njihet edhe shumë më e fuqishme se sa që ishte deri më tani. Na kemi marrëveshje bashkëpunimi edhe më të mëhershme, ky është një thellim i bashkëpunimit të mëtutjeshëm, ku me fjalë të tjera i bie që të gjithë numri i ushtarëve të FSK-së që janë e që flasin me shifër mbi 2700 persona nga sot e tutje do të kalojnë që të bëjnë komunikimin e tyre në rrjetin e Valës, kështu që flasim konkretisht për vazhdimin e bashkëpunimit në telefoninë mobile duke përfshirë edhe shërbimet e internetit nëpërmjet telefonave të tyre”, tha Mustafa.

Drejtori i PTK-së Agron Mustafa ndër të tjera tha se qëllimi i Valës është që duke qenë se PTK është në pronësi publike, synimi kryesorë është që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës të jenë nën ombrellën e shërbimeve të Valës.

Mustafa mendon se nuk ka logjikë nëse dikush e ka një produkt të sajin e të shkojë e të blej një produkt të huajin. /Telegrafi/