Site icon Telegrafi

Pjesëtarë të xhandarmerisë serbe dhe spiunë të BIA-s në veri, policia e mohon

Më shumë se 50 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, si dhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, në shoqëri të tyre janë edhe struktura tjera dhe njerëz të krimit, që janë nën urdhrat e bosit të ‘nëntokës’ Zvonko Veselinoviq, të cilët janë mobilizuar në atë pjesë për fitoren e Listës serbe dhe kandidatëve të tyre gjatë zgjedhjeve që po mbahen sot.

Burimet më tej kanë shtuar se këta pjesëtarë të xhandarmerisë kanë të veshura pantallona ngjyrë të zezë me simbole të Republikës së Serbisë, si dhe bluza po ashtu të zeza. Ata janë parë sot, përveç afër qendrave të votimit, edhe në Bllokun studentor numër 5 dhe hotelin ‘Gray’ në veri të Mitrovicës.

Këto  informata nuk i ka konfirmuar Policia në veri. Sipas zëvendëskomandantit të Policisë në veri Besim Hoti, Policia nuk ka asnjë informatë për prezencë të këtyre njerëzve në këtë pjesë.

Exit mobile version