“Nuk dëshiroj që gruaja të ketë fuqinë mbi burrin, por ajo duhet të ketë fuqinë mbi vetveten” – Mary Wollstonecraft.
Emancipimi i gruas shqiptare, është kusht për emancipimin e shoqërisë Kosovare!
Profesorë të veçuar të Universitetit të Prishtinës ofronin kontrapunktin e diskursit të mësipërm. Për t’u emancipuar gruaja shqiptare, duhet emancipuar burri!?
Me të përfunduar lufta e fundit, edhe përkundër orëve të historisë që na mësuan për pjesëmarrjen e gruas në ngjarjet e rëndësishme, komuniteti ndërkombëtarë imponoj 30 përqindëshin si kusht të detyrueshëm të pjesëmarrjes së gruas në institucionet e Kosovës.
Debatet fondamentale që prekin thelbin kulturorë të kësaj pjese të Evropës në Kuvendin e Kosovës do t’i quaja dëshpëruese ngase gruaja (shqiptare) u gjend e vetmuar karshi një ideje të re dhe krejt të huaj për ne. Pjesëmarrja në këtë debat të gjinisë “superiore” ishte për keqardhje.
Ngrita këtu disa pika nismëtare për të kaluar tek një çështje esenciale, e që është përshtatja e sistemit zgjedhor karshi pjesëmarrjes së gruas në zgjedhje, si zgjedhës dhe si e zgjedhur.
Meqë censusi i fundit dëshmon se popullata e Kosovës përbënë 50 për qind gjininë femërore, atëherë hamendësia e logjikshme do të ishte: pse atëherë nuk kemi kërkesën legjitime dhe ligjore të përfaqësimit të gjinisë femërore në Kuvendin e Kosovës me të njëjtën vlerë percentuale? Kjo mbase mund të tingëllojë si qëndrim megaloman, joreal apo mbase nuk i përket mentalitetit. Mënyrën e të menduarit se kërkesa e imponuar për përfaqim 30 për qind tashmë është përfaqësim kuantitativ e jo kualitativ, duke e pasur parasysh nivelin e arsimimit dhe intelektual të femrës në Kosovë, do ta quaja qëndrim të kufirit gjinorë shoven. Atëherë pra duhet kalojmë të logjika e ndryshimit të mentalitetit.
Shkrimet e fundit në media prekin disa aspekte të sistemit zgjedhor, përfshirë këtu edhe listat e votimit. Më duhet të pranoj se qëndrimi për ruajtjen e listës së mbyllur nuk ofron mundësi që votuesi të zgjedhë kandidatin/en e preferuar. Ndonjë tjetër do të hamendësonte se ideja e përfaqësimit gjinor me listën e hapur do të dëmtonte përfaqësimin e gruas. Tashti, kjo ide vihet në diskutim. Duke qenë se kemi të bëjmë me regjistrimin civil i cili flet për rreth 50 për qind të popullatës së gjinisë femërore, rrjedhimisht trupi zgjedhor do të duhej të jetë 50 për qind i gjinisë femërore. Për pasojë, 50 për qind e listës zgjedhore do të duhej të ketë përbërje të gjinisë femërore.
Për të vendosur një koncensus në mes kokëfortësisë për të ruajtur listën e mbyllur dhe nevojës së patjetërsueshme të përfaqësimit korrekt të votuesve dhe kandidateve femra, atëherë 50 për qind e listës së mbyllur do të duhej të jetë në kandidatet femra, pra çdo e dyta në listë, dhe po ashtu çdo e dyta në listën e hapur do të duhej të jetë femër. Jam më se e bindur që votuesja në Kosovë duhet të japë votën e saj kandidates e cila më së miri do ta përfaqësonte si deputete, kryetare e Komunës, kryesuese e Kuvendit komunal, kryetare e Kuvendit ë Republikës së Kosovës, Kryeministre, Presidente.