Bora e madhe pritet të vazhdojë të grumbullohet në shtetin perëndimor të Nju Jorkut deri të dielën, pasi një stuhi historike solli në zonën e Buffalo-s reshje rekord bore që arrinin më shumë se 1.8 metra në disa zona.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pak pas orës 23:00 të shtunën, Shërbimi Kombëtar i Motit në Buffalo lëshoi një deklaratë të posaçme për motin duke paralajmëruar se një borë e dendur e shoqëruar nga erëra të forta po krijonte një “shpërthim bore” në shtetin perëndimor të Nju Jorkut.
Ajo po lëvizte në jug të zonave të metrosë Buffalo dhe Rochester, tha shërbimi i motit.
Ndërkohë deri në mëngjesin e së dielës (sipas kohës lokale), erërat u zhvendosën më në drejtim të perëndimit.
Buffalo nuk është më nën një paralajmërim për borë, por mbetet “nën një këshillë” për motin dimëror deri të dielën në mbrëmje.
Ndërsa zona e Buffalo-s është mësuar të përballet me reshje të dendura bore, kjo stuhi po jep “shumë më shumë sesa marrim zakonisht”, tha kryebashkiaku Byron Brown për CNN të shtunën.
Qarku Erie, i cili përfshin Buffalo, përjetoi sasinë më të madhe të borës ndonjëherë në një periudhë 24-orëshe të shtunën, sipas ekzekutivit të qarkut Erie, Mark Poloncarz.
“Kjo ishte një stuhi rekorde që në disa mënyra ishte më intensive se Snowvember”, shkroi Poloncarz në Twitter.
“Snowvember” i referohet një stuhie në zonën e Buffalo në nëntor të vitit 2014, ku ranë rreth 2.1 metra borë në tri ditë.
Të paktën 13 njerëz vdiqën në atë stuhi dhe pesha e borës bëri që dhjetëra çati të dëmtohen nga ndikimi i saj. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=oJiW1FRkmWk