Telegrafi

Pjesa dërmuese e programeve kompjuterike në Shqipëri pirate

Duke parë situatën, Zyra Shqiptare e të Drejtës së Autorit (ZSHDA) ka nisur një aksion sensibilizimi në tregun e kompjuterëve dhe programeve kompjuterike.

“Në bashkëpunim me Aleancën për softuerë biznesi dhe prodhuesin e madh Microsoft është bërë trajnimi specifik i inspektorëve të zyrës në lidhje me softuerët dhe ka ardhur koha që krahas produktit kulturor dhe artistik që ne kemi pasur në vëmendje e gjejmë me vend që të fillojmë dhe një fushatë që ne kemi pasur në vëmendje një fushatë sensibilizimi si fazë të parë edhe në lidhje me respektimin e të drejtave të autorit të programeve kompjuterike” tha Nikolina Gjordeni, drejtoreshë e ZSHDA-së, raporton Alsat.

“Ky është një problem global, pasi një në tre programe kompjuterike janë të piratuar. Sensibilizimi, informimi i pamjaftueshëm dhe të kuptuarit që edhe programet kompjuterike janë vepra të cilat mbrohen në bazë të ligjit për të drejtat e autorit njësoj si veprat letrare artistike dhe shkencore. Vjen natyrshëm kjo fushatë inspektimi, thjeshtësisht për të bërë prezent detyrimet e ligjit”, tha Albana Pulaj, përgjegjëse e Zyrës së Inspektimit.

Pas fushatës së sensibilizmit dhe njoftimit inspektorët e të drejtës së autorit do të presin respektimin e ligjit në përdorimin e programeve kompjuterike. Në një fazë të mëvonshme do të fillojë edhe marrja e masave me gjoba. Këto aksione kryhen jo vetëm për të mbrojtur autorët e programeve, por edhe vetë konsumatorët.