Miralem Pjanic mendon se Lyoni bëri paraqitjen më të mirë sezonale ndaj Juventusit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
Zonja e Vjetër fitoi me rezultat 1-0, ndërsa Gianluigi Buffon e mbrojti penaltinë në pjesën e parë dhe mesfushori boshnjak ka pasur lëvdata për të.
“Ishte një vuajtje, ne e dinim se secila ndeshje e Ligës së Kampionëve do të jetë e vështirë”.
“Lyoni e bëri ndoshta ndeshjen më të mirë të sezonit, por edhe me dhjetë lojtarë, ne luftuam fuqishëm, ishim të organizuar dhe madje ia dolëm të shënojmë”.
“Këto janë pikë shumë të rëndësishme për sezonin tonë. Asnjëherë nuk kisha frikë, jo. E dinim se gjërat ishin akoma më të komplikuara kur ishim dhjetë, ndërsa është e vërtetë se Gigi bëri disa mbrojtje fantastike, por ne vazhduam të besonim në tri pikët”.
“Gigi e dëshmoi edhe një herë se është gjithmonë aty. Nuk ka kuptim të dyshojmë tek ai, sepse është shumë i rëndësishëm për Juventusin dhe Italinë”, ka deklaruar Pjanic për Mediaset Premium. /Telegrafi/