Telegrafi

Pistë e skive në majë të një “termocentrali të djegies së mbeturinave” – publikohen detajet dhe pamjet e një të tille, të hapur në Kopenhagë

Kryqëzimi i atletikës dimërore, djegia e mbeturinave në mënyrë “të pastër” dhe një destinacion i ri udhëtimi, janë ato që e karakterizojnë një projekt të ri në Danimarkë, që është hapur për publikun më 4 tetor.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, CopenHill, i njohur edhe si Amager Bakke, është një termocentral i nxehtësisë dhe mbeturinave me bazë në Kopenhagë, i projektuar nga Bjarke Ingels Group dhe i ndërtuar në vitin 2017.

Është gjithashtu një vend ku njerëzit shkojnë të argëtohen, dhe ajo ka lansuar atraksionin e saj më të ri: një pistë artificiale plastike të skive dhe për snowboard.

Madje, ndërtesa e termocentralit, e cila djeg mbeturinat në vend të karburantit fosil, është në përputhje me qëllimin e Kopenhagës për të qenë kryeqyteti i parë “me emetim zero të karbonit” deri në vitin 2025.

Themeluesi i Bjarke Ingels Group, Bjarke Ingels tha në një deklaratë të ditës së parë, “CopenHill është termocentrali më i pastër i energjisë mbeturinave në energji në botë”.

Kjo pasi që, siç thuhet tutje, KopenHill djeg mbeturinat dhe këtë energji e shndërron në nxehtësi dhe energji elektrike për dhjetëra mijëra familje në Kopenhagë.

Gjithashtu, siç bëhet e ditur tutje, zona e saj e skive artificiale është e gjatë 400 metra, dhe përfshin katër pjerrësi me vështirësi të ndryshme dhe jo vetëm.

Ajo nuk mbështetet në dëborën natyrore ose prodhimin e dëborës të bërë nga njeriu dhe ndihmon në promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Danimarkë gjatë gjithë vitit.

Tre “qilima magjikë” që funksionojnë me të shtypur të butonit do të bartin skiatorët për në majën e “malit”, dhe, ashtu si një mal i vërtetë i skive, të ftuarit mund të përdorin pajisjet e tyre ose të marrin ato me qira.

Për mysafirët që e ndjekin udhëtimin me këmbë në tatëpjetë, ka edhe një “mur ngjitjeje”, një pistë vrapimi dhe një zonë për kafe.

Danimarka është e ftohtë në dimër, por nuk ka male – kështu, siç theksoi Ingels, shtimi i një sektori të skive në zonë i jep një larmi vendit.

Megjithatë ky nuk është vendi i parë me një mënyrë të tillë të të integruarit të sporteve dimërore në arkitekturë dhe planifikim urban.

Një megakompleks në Dubai strehon kullën më të lartë të banimit në botë dhe një shpat skish, dhe Shanghai hapi atë që pretendon se është “vendpushimi më i madh i skive” vitin e kaluar. /Telegrafi/