Site icon Telegrafi

Pisllëku i lartë, mundësi e mirë për larje të parave!

Si rrjedhojë e vështirësive gjatë realizmit të transaksioneve të komplikuara, lindi nevoja për një ndërmjetësues, i cili do të tregonte vlerën e vërtet dhe momentale të mallrave, ngase përmes këmbimit të thjeshtë, i njohur si këmbimi i mallit me mall, ishte shumë vështirë të realizohet një tregti në përmasa përafërsisht të barabarta ndërmjet shitblerësve. Nevoja e këtij kursi të atëhershëm tregtar, lindi paranë!

Sikurse çdo lindje dhe zbulim tjetër, që shoqërohet menjëherë me të kundërtën apo me armikun e saj, edhe paraja si fenomen shoqëror e ekonomik nuk shpëtoj dot nga një shoqërim i tillë. Edhe njeriu si krijesë shoqërore, me rastin e daljes në këtë botë nuk shpëtoj dot nga djajtë shoqërues, që i tërë misioni i tyre përthekohet me pengimin, shkatërrimin, degradimin dhe humbjen e tij.

Armiqtë apo veprat penale të parasë janë të shumta, ndaj në pamundësi kohore dha hapësinore për paraqitjen e të gjithëve, kursin e studimit tonë do e orientojmë në fenomenin e pastrimit të parave të pista. Pastrimi apo larja e parave është kthimi i të ardhurave të realizuara ndër vite apo muaj, me mjete jashtëligjore në pasuri, të cilave është vështirë tu gjendet origjina apo burimi i grumbullimit të të ardhurave. Shtetet e preferuara dhe të përshtatshme për larje të parave janë ato shtete të cilat janë të zhytura në pisllëqe juridike, ekonomike, politike dhe shoqërore.

Është pak paradoksale që paratë e pista të pastrohen në një vend me nivel të lart të pisllëkut! Por nuk duket, edhe aq e tillë kur mendojmë se në këtë afarizëm kemi të bëjmë me palë dhe njerëz të pistë. Paralelisht me larjen e parave të pista, lahen edhe njerëzit e ndytë në një vend po ashtu të ndytë, ngase amnistia nga një vepër penale e tillë, bëhet prej fundërrinave të cilët qeverisin me pushtetin.

I kemi të njohura rastet nga jeta e përditshme, kur një afarist me veprimtarin e tij kundërligjore dhe kundërnjerëzore bënë grumbullimin e pasurisë në vend apo jashtë vendit, investon në ndonjë ndërmarrje apo në ndonjë objekt kombëtarë dhe fetarë, pastaj si nga pushteti ashtu edhe nga populli, njeriu në fjalë njihen si njeri i ndershëm, bamirës apo i devotshëm, kurse në të vërtet ky njeri kriminel është në fazën evolucionare të pastrimit.

Shumë shtete me ekonomi të zhvilluar dhe me sistem të shëndosh juridik, prej kohësh janë duke grumbulluar para vetës masa për parandalimin e këtij fenomeni rrënues. Shtetet me sisteme të mirëfillta në aspektin e përgjithshëm, e preferojnë më shumë parandalimin sesa luftimin. Ndërkaq shteti i Maqedonisë, i cili deri në fyt është i zhytur dhe i përfshirë prej një sëmundje të këtillë, mekanizmat shtetërore të dobëta të përgjithshme e preferojnë më shumë luftimin sesa parandalimin e larjes së parave (në teori paraqiten për parandalimin, kurse në jetën reale e manifestojnë luftimin gjysmak dhe sipërfaqësorë).

Këta më shumë e preferojnë që të sëmurin ta shërojnë, sesa të shëndoshin ta ruajnë që të mos sëmuret! Pse ky shtet e pëlqen më shumë luftimin, sesa parandalimin e këtij fenomeni shkatërrues. Sepse, përmes luftimit bumi medial, besueshmëria dhe ngritja e rejtingut partiak do të jenë në qendër të vëmendjes, kurse përmes parandalimit shteti duhet ta ulë papunësinë, të ofrojë shërbime administrative të shpejta dhe efikase, të ndaj mjete buxhetore për trajnime të qytetarëve rreth larjes së parave, t’i kërkoj burimin financiar të gjithë bankave dhe firmave, t’i dënoj ashpër punëdhënësit që asnjë kontribut juridik nuk ia realizojnë punëtorëve, si dhe përmes parandalimit urgjentisht pushtetarët duhen të flijohen nga të jetuarit super-luksoz.

Të gjithë këto masa parandaluese për qytetarin e thjesht, nuk janë të vërejtura edhe aq shumë (edhe pse shumë të dobishme për ta), kurse arrestimi i një biznesmeni malazez si i dyshuar për larje të parave, përmes firmës së tij në Shkup, i cili ka larë rreth 30 milion dollarë të lëshuara kryesisht nga firmat e huaja, u vërejt goxha shumë. Kështu pra, shteti ynë përballet me larjen e parave të pista, në cilësinë e luftimit, e assesi të parandalimit.

Ky rast i rrallë në Maqedoni, u vlerësua si një e arritur e madhe e drejtorisë për pengim të larjes së parave! Rasti në fjalë, njëkohësisht ishte edhe një dalje nga anonimiteti i kësaj drejtoria, ngase ne si qytetarë edhe pse çdo ditë shihnim dhe shohim, sesi njerëzit pasurohen dhe ndërtojnë objekte që as vet nuk e dinë burimin e të ardhurave, e në të njëjtën kohë drejtorisë në fjalë, nuk ia kemi dëgjuar asnjë fjalë. Me të drejtë konstaton profesori Hamit Aliu, kur thotë se, “angazhimi i agjencive për larjen e parave në aspektin financiar është vetëm formal, kemi drejtorinë për këtë çështje, por realisht në praktik ata s’kanë aftësi dhe kapacitet për ta ndjekur këtë proces”.

Larje të parave në këtë shtet kemi kudo. Mjafton një retrospektiv katërvjeçare rreth gjendjes sociale dhe financiare të ministrave apo të deputetëve, si dhe një dallim prej gjendjes së atëhershme në këtë të sotshmes, ku do mbesim pa fjalë dhe pa pasthirrma kur do ia shohim shtëpitë, banesat, veturat dhe bizneset tjera, të cilët mbinë sikur kërpudhat pas shiu. A nuk janë këto larje të parave me mjete të qytetarëve. Kjo nuk është vetëm larje e parave prej mjeteve monetare të qytetarëve, porse kjo është larja e trurit të qytetarëve në mënyrë institucionale, ngase po këta qyqarë më falni qytetarë tashmë të pastruar në tru, po i shkojnë mbrapa oligarkëve financiar, të cilët përpos interesave postare dhe materiale nuk njohin asgjë tjetër.

Në këtë shtet, ndodhi diçka e çuditshme dhe tejet kontradiktore në lidhje me luftimin e krimit ekonomik. Policia në kufirin e Tabanocit dhe të Qafë Thanës, i arrestoj ca polic për ryshfet dhe korrupsion, kurse pastaj policia arrestoi një biznesmen të Malit të Zi për larje të parave, ndërkaq të dy palët do gjykohen nga njerëzit e infektuar që moti me këtë virus!

Ky shtet, tashmë pretendon të paraqitet si lule përball të tjerëve ku do t’i josh mirë fluturat vëzhguese, por harron se lulet improvizuese janë të stërmbushura me baktere të ndryshme. Kësisoj pra, në vendet me nivel të lart të pisllëkut, është vështirë apo e pamundur parandalimi dhe luftimi i pastrimit të parave të pista, sepse pisllëku e tërheq mikrobin, kurse mikrobi është i rehabilituar dhe i kënaqur në pisllëk!

Exit mobile version