Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Uranija Pirovska, sot në konferencë për shtyp tha se pret “tregti” të re për dy të tretat e votave të deputetëve, këtë herë për ligjin për Prokurorinë Speciale.
“Nëse kemi parasysh atë që për çfarë ishim dëshmitarë në periudhën e kaluar për të arritur dy të tretat e shumicës, gjegjësisht tregtinë e qartë për çështje të caktuara, nuk dyshoj se kjo do të ndodh sërish”, tha Pirovska, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ajo sot prezantoi rezultatet e monitorimit të çerekut të dytë të reformave në gjyqësor, ku janë kryer në 11 ligje që kanë të bëjnë me fushën e gjyqësorit.
Në raport thuhet se masat e zbatuara në këto ligje kanë qenë pjesërisht transparente, si dhe përfshirje të pamjaftueshme të organizatave qytetare në formimin dhe zbatimin e tyre.
Këto mungesa, sipas raportit, më shumë janë vërejtur në procedurën për zbatimin e Ligjit për Prokurorinë Publike.
Ndryshe, sot pritet takimi i radhës mes grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës, ndërsa më herët Zaev takoi edhe dy përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare, Bilall Kasamin dhe Ziadin Selën. Këto dy të fundit, pas takimit thanë se përkrahin punën e PSP-së, por me disa kushte të caktuara./Telegrafi/