Telegrafi

Pirlo i lumtur me fitoren: E dinim se do të vuanim ndaj një Rome të madhe, kemi bërë mirë në defensivë

Juventusi ka fituar derbin e xhiros në Serie A, teksa ka mposhtur Romën me rezultat të pastër 2-0.

Zonja e Vjetër u tregua cinike në këtë sfidë duke shënuar dy gola dhe duke u mbrojtur për mrekulli.

Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo ka deklaruar pas ndeshjes se e dinin që do të vuanin ndaj një Rome të madhe që e kishte vlerësuar si skuadrën me futbollin më të mirë në Itali.

Pirlo ka shpjeguar edhe arsyen që skuadra e tij luajti shumë futboll mbrojtës në Allianz Stadium.

“Ndeshje e vuajtur por e dinim që do të vuanim kundër një Rome të madhe. Dje thashë që do të ndesheshim me një nga skuadrat që bëjnë futbollin më të bukur, kështu që qasja jonë taktike do të kishte qënë e ndryshme”.

“Mbrojtëm të tërhequr për tu munduar të bllokonim vijat e tyre të pasimit dhe më pas tentuam të riniseshim me kundërsulme sepse ata zbuloheshin shumë”, ka deklaruar Pirlo.

“Ishim shumë të zotët edhe kur ishim në vështirësi, duke qëndruar të bashkuar dhe të përulur. Kjo është prova që të jep forcë dhe unitet në skuadër. Kemi bërë shumë mirë në fazën defensive sepse Roma nuk pati raste të pastra shënimi”, u shpreh Pirlo.

Me këtë fitore të arritur, Zonja e Vjetër tani ka kaluar Romën në vendin e tretë dhe ka grumbulluar 42 pikë me njëndeshje më pak se lideri Inter që ka 47 pikë. /Telegrafi/