Andrea Pirlo e ka të qartë se doemos duhet të fitojë te Juventusi dhe e ka për objektiv që t’ia fitojë Scudetton e dhjetë radhazi kampionit italian.
Një javë para fillimit të Serie A (ndaj Sampdorias), Zonja e Vjetër fitoi me rezultat 5-0 në një ndeshje miqësore kundër Novaras.
“Jam i kënaqur, kishim vetëm dy ditë në dispozicion për t’u stërvitur së bashku. Djemtë janë të përkushtuar, që është gjëja më e rëndësishme”., ka deklaruar Pirlo për Sky Sport Italia.
Pritjet te Bianconerët janë gjithmonë të mëdha, ndërsa nga trajneri i ri pritet që ta fitojë Scudetton në sezonin 2020/2021.
“Unë jam trajner i Juventusit, është normale për këdo që vjen këtu se duhet të fitojë. E di se duhet të fitoj, ishte kështu kur kam qenë lojtar dhe do të jetë kështu edhe si trajner”, ka shtuar Pirlo. /Telegrafi/