Telegrafi

Pirlo fajëson mungesën e përvojës për barazimin e Juventusit me Veronën

Andrea Pirlo fajësoi mungesën e përvojës për Juventusin, duke mos arritur ta mbajnë epërsinë në barazimin 1-1 me Hellas Verona.

Bianconerët lëshuan përsëri pikë dhe tani rrezikojnë të mesin shumë larg liderit, Interit, pasi goli i Cristiano Ronaldos u zhvlerësua nga goli i Antonin Barak.

Ky barazim ka lënë të zhgënjyer trajnerin e Juves, Pirlon, i cili pas ndeshjes ka fajësuar mungesën e përvojës tek ekipi i tij.

Lexo po ashtu Juventusi nuk arrin më shumë se një barazim në udhëtim te Verona

“Është zhgënjyese, pasi e dinim se do të ishte një lojë e vështirë dhe e luftuar shumë. Ne arritëm të marrim epërsinë, e cila ishte pjesa më e vështirë, pastaj nuk e mbajtëm atë”, ka thënë fillimisht Pirlo për DAZN.

“Ka këso detaje të vogla që fatkeqësisht lojtarët e rinj nuk i kuptojnë se mund të bëjnë diferencën dhe të çojnë në pikë”.

Lexo po ashtu Hellas Verona 1-1 Juventus, notat e lojtarëve

“Kur të jeni në epërsi, duhet të përpiqeni t’i sillni këto pikë në shtëpi. Na mungonin shumë lojtarë me përvojë, kështu që elementët e rinj nuk e kuptuan mënyrën se si po shkonte ndeshja”.

“I kërkova Cristianos dhe Alex Sandros të flisnin me ta dhe të dëgjonin zërin e tyre, por nuk mjaftoi”, përfundoi trajneri i Bianconerëve. /Telegrafi/