Telegrafi

Pirja e duhanit vret!

Pirja e duhanit na bën keq, këtë e dimë të gjithë, dhe nga pirja e tij mund të vdesim!

Dr. Gojart Xh. Pllana, MD
Specialist i Kardiologjisë
045/048 108018

Çdo vit në të gjithë botën numri i të vdekurve për shkak të pirjes së duhanit po rritet me ritme të frikshme. Efektet e cigareve në trupin e njeriut janë të shumta dhe ato ndikojnë çdo ditë në jetën e duhanpirësit.

Duhani gjatë djegies çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit e deri te katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv, që janë ndër shkaktarët kryesor te kancerit të mushkërive.

Në qoftë se do të bëjmë një listë të dëmeve që shkaktohen drejtpërdrejt nga pirja e duhanit, ajo do të ishte tepër e gjatë, por le të përqendrohemi mbi dëmet kryesore ku përfshijnë:

Trurin – duke shkaktuar dhimbje koke, çrregullim gjumi, nervozizëm, marramendje etj.

Zemrën – pirja e duhanit është shkaktari kryesor i infarktit të miokardit dhe sëmundjeve koronare të zemrës, veçanërisht ajo është e lidhur me 30% të vdekjeve nga sëmundjet koronare të zemrës. Duhani rrit rrezikun e arterosklerozës dhe të infarktit miokardik, sepse ai favorizon formimin e pllakave dhe formimin e trombëve. Sëmundja koronare arteriale shkaktohet nga monoksidi i karbonit dhe nikotina. Duhanpirësit rrezikojnë të sëmurën dy herë më shumë sesa ata të cilët nuk e pinë atë. Nder efektet tjera të duhanit në zemër janë edhe ngritja e shtypjes se gjakut (hypertension), çrregullimet e ritmit të zemrës (arrhythia), të rrahurat e shpejtuara të zemrës (tachicardia) etj.

Mushkëritë – Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 90-95% e tumoreve të mushkërive shkaktohen nga pirja e duhanit. Pirja e duhanit shkakton bronkit akut afatgjatë, bronkit kronik dhe emfizemë, si dhe incidencën dhe ashpërsinë e episodeve astmatike dhe infeksionet e përsëritura të frymëmarrjes.

Kancer, jo vetëm në mushkëri – Pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës, mëlçisë, laringut, ezofagut, pankreasit dhe gojës. Duhani, përveç këtyre, është një faktor rreziku për zhvillimin e diabetit në kohë të hershme. Kur kombinohet me pirjen e alkoolit ky rrezik shkon 150/1 në raport me popullsinë joduhanpirëse. Duhani, duke kontribuar në vazokonstruksionin (ngushtimin) e enëve të gjakut të stomakut rrit përqindjen për ulcerën e stomakut, ndërkohë që rritet 2,7 herë rrezikun për kancer në stomak. Duhani shkakton shumë sëmundje dhe është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Njerëzit mundohen ta lënë duhanin, por nuk munden, pasi ata janë mësuar ta konsumojnë shumë atë. Disa njerëz mendojnë se duhani të largon dhimbjen e kokës, por përkundrazi ai e shton akoma më shumë atë, por ne nuk e ndiejmë.

Impotencë – Tymi i duhanit është një faktor rreziku shumë i rëndësishëm në mosfunksionimin e organeve gjenitale të meshkujve. Një studim i kryer në Universiteti Massachusetts ka treguar se si pirja e duhanit rrit rrezikun e impotencës, me një incidencë mes 5% dhe 15% më të lartë sesa ajo e joduhanpirësve. Por duhani nuk ka një efekt të dëmshëm vetëm mbi nivelin e enëve të gjakut, por ai ka një rol të drejtpërdrejtë edhe në indet gjenitale të mashkullit.

Dëmtime estetike – edhe nga pikëpamja estetike duhanpirja ka një ndikim negativ mbi trup. Në fakt duhani zvogëlon mbrojtjen imunitare përkundrejt pllakave bakteriale, shkakton një zverdhje të dentinës dhe rrit rrezikun e gingivitit. Përveç këtyre, duhani përshpejton plakjen e lëkurës.

Nëse jeni duhanpirës, ndërprerja e duhanit është gjëja më e mirë që ju do të bënit për trupin tuaj.

“Nuk do të ketë kurrë një moment të përsosur për të lënë duhanin. Mos prisni që jeta të ndryshojë pa u përpjekur fare. Nëse dëshironi të lini duhanin, ju duhet të merrni kontrollin e ndryshimeve që ju nevojiten në jetën tuaj”.

Nëse keni vendosur ta lëni duhanin, atëherë – urime!

/Telegrafi/