Edhe pse me ligjin e Kosovës, pirateria dhe shkelja e të drejtave të autorit është vepër penale, vazhdojnë të jenë problemet kryesore, me të cilat përballen autorët në vend.
Kjo pasi që legjislacioni në fuqi nuk ka arritur të parandalojë kopjimet e botimeve origjinale të shumë autorëve në vend dhe shitjen pa autorizimin e autorit.
Pirateria me libra më së shumti bëhet me anë të riprodhimit apo shumëzimit, ndërsa studentët janë ata të cilët më së shumti përdorin materiale pirate pasi që për ta nuk është shumë e rëndësishme blerja e botimit origjinal, por çmimi.
Krahas kësaj përveç autorëve të cilët dëmtohen dhe janë në një luftë me piraterinë, edhe libraritë po ballafaqohen me të njëjtin problem.
Sipas një hulumtimi nga disa studentë të departamentit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, doli se arsyet kryesore pse studentët shumëzojnë libra në fotokopje janë çmimet shumë më të volitshëm që fotokopjet ua mundësojnë për të njëjtin libër, krahas botimit origjinal.
Hulumtimi është bërë me 250 studentë, të nivelit Baçelor dhe Master, të universiteteve shtetërore, si dhe të kolegjeve private, ku sipas një llogaritjeje me numrin e përgjithshëm të studentëve sipas një publikimi nga Ministria e Arsimit për vitin 2016/2017 i bie se çdo i 400-ti student është anketuar.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se 77,6 për qind nga 250 studentë të anketuar, nuk e dinin se pirateria dënohej me ligj në Kosovë , ndërsa vetëm 22 për qind e dinte se dënohej me ligj , megjithatë edhe nga ajo pak përqindje që u deklaruan se pirateria dënohej me ligj, një pjesë nuk ia kishte idenë se si quhej ai ligj.
Gjithashtu 82 për qind nga 250 student të anketuar, gjatë gjithë shkollimit të tyre, kanë zgjedhur të përdorin materiale pirate në vend të atyre origjinale, sigurisht duke i fotokopjuar ato, ndërsa vetëm 18 për qind libra origjinal.
Njohësit e kësaj fushe thonë se përkundër legjislacionit, autorët në aspektin praktik vazhdojnë të mos kenë mbrojtje për krijimet dhe idetë e tyre, edhe pse institucionet relevante janë duke bërë çmos që kjo dukuri të zhduket.
Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit, në Ministrinë e Kulturës (MKRS), Valon Kashtanjeva, thotë se fotokopjimi i librit të tërë është shkelje e të drejtës së autorit dhe nuk lejohen në asnjë rrethanë me ligjin në fuqi.
“Fotokopjimi i librit të plotë si është praktikë në Kosovë, është i ndaluar me ligjin në fuqi dhe shkelë të drejtën e autorit. Është e vërtet që librat kushtojnë, vetëm për ata studentë që nuk kanë mjete fare për te blerë mund të gjinden mënyra për të subvencionuar librat e tyre por jo të fotokopjohen pa leje, ndërsa të tjerët duhet blerë librat pasi në këtë mënyrë kompensohen autorët e librave kryesisht atyre universitar që janë më shumë të fotokopjuar pa leje të autorit”, ka thënë Kashtanjeva.
Një problem tjetër me të cilën po përballen autorët e veprave është edhe plagjiatura, për të cilën Kashtanjeva ka thënë se studentët dhe profesorët duhet të njoftohen më shumë edhe për plagjiaturën, pasi që gjendja nuk është e mirë fare në këtë aspekt.
“Shumë tituj akademik janë fituar dhe po fitohen bazuar në punën e bërë nga autorë tjerë apo duke bërë plagjiaturë, të gjithë duhet të dinë që “edhe një fjali që është origjinale dhe në vete përmban shprehjen intelektuale të autorit” nuk guxon të përdorët pa e cituar autorin e veprës ku është marr, e jo si ka shumë raste merret e tërë faqja apo edhe i tërë punimi”, tha ai.
Kashtanjeva ka theksuar se Task-Forca e cila është themeluar në 2013-ën për luftimin e Piraterisë dhe Falsifikimit, ka sjellë rezultate në mbrojtjen e të drejtave të autorit por që sipas tij mbetet sfiduese lufta kundër piraterisë digjitale.
“Shkeljet e të drejtës së autorit në shkallë komerciale – janë të njohurash pirateri. Pirateria ka qenë një nga dukuritë që është luftuar që disa vite në Republikën e Kosovës, përkatësisht nga Gushti i vitit 2013, kur Task Forca kundër Piraterisë ka marr masat e para kundër piraterisë. Nga ajo kohë janë sekuestruar mbi 45 mijë kopje të materialëve pirate, kryesisht vitet e para janë sekuestruar më shumë materiale pirate, në vitin e fundit 2017, janë sekuestruar vetëm afro 1600 kopje të materialeve pirate. Mbetet sfiduese lufta kundër piraterisë digjitale ku shkeljet janë më prezentë tani, por edhe luftimi i piraterisë fizike për shkak të numrit të ulët të inspektorëve të tregut”, deklaroi Kashtanjeva.
Sipas Ligjit për të Drejtat e Autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej dymijë (2000) deri në dhjetëmijë(10 000) Euro.
Ndëra sipas Kodit Penal, kushdo që bën shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë dhe/ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve dhe materialeve që shkelin të dre jtat e autorit dhe të drejtat e përafërta konfiskohen./Telegrafi/
Dallëndyshe Sylejmani /Autorja është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës