Një pilot i Turkish Airlines ka vdekur pasi u sëmur gjatë fluturimit të tij nga Seattle në bregun veriperëndimor të Shteteve të Bashkuara për në Stamboll të Turqisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kapiteni Ilcehin Pehlivan, 59 vjeç, u rrëzua dhe një pilot i dytë dhe bashkëpilot morën kontrollin, tha një zëdhënës i linjës ajrore në X.
“Kur ndihma e parë për kapitenin tonë në aeroplan ishte e pasuksesshme, ekuipazhi i kabinës… vendosi të bënte një ulje emergjente, por ai vdiq para uljes”, shpjegoi Yahya Ustun.
Aeroplani Airbus A350 u ul në Nju Jork dhe më pas u bënë plane për të dërguar pasagjerët për në Turqi prej andej, shtoi ai.
Pehlivan kishte fluturuar me Turkish Airlines që nga viti 2007 dhe i ishte nënshtruar një kontroll i rregullt shëndetësor në fillim të marsit, i cili nuk gjeti asnjë problem shëndetësor që mund të ndikonte në punën e tij, tha linja ajrore.
Shoqata e kontrollorëve të trafikut ajror të Turqisë, TATCA, tha se ai i kishte shërbyer komunitetit të aviacionit për shumë vite dhe ofroi ngushëllimet e saj për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.
Shkaku i vdekjes së pilotit nuk është bërë i ditur.
Pilotët duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore çdo 12 muaj, ndërsa ata mbi 40 vjeç duhet të rinovojnë certifikatat mjekësore çdo gjashtë muaj. /Telegrafi/